Princi Andrew tërhiqet nga detyra për shkak të aferës pedofilike

22 Nëntor, 2019 - 11:44 am

Djali i mbretëreshës britanike Elizabeth II (93), princi Andrew (59) tha se ai po tërhiqej nga detyrat e tij mbretërore për shkak të skandalit që lidhet me shokun e tij të ndjerë Jeffrey Epstein, i cili ishte në burg me akuzën se kishte organizuar orgji pedofilike. Mediat filluan ta ndërlidhin princin me gjithë skandalin për shkak të të cilit Duka i Yorkut e luti mbretëreshën që ta lironte nga detyrat e tij të cilat i kryen në emër të familjes mbretërore.

“Gjatë ditëve të fundit më është bërë e qartë se marrëdhënia ime me të ndjerin Jeffrey Epstein ma pamundëson kryerjen e detyrave të mia mbretërore dhe punën me një numër organizatash bamirësie për të cilat jam shumë krenar. Për shkak të kësaj, unë i kërkova madhështisë së saj të më lironte nga detyrat e mia mbretërore, dhe ajo e miratoi këtë. Vetëvrasja e Epsteinit la shumë pyetje të papërgjigjura, veçanërisht për viktimat e tij, dhe unë thellësisht bashkëndjej me të gjithë ata që janë prekur. Shpresoj që me kalimin e kohës ata do të mund ta rindërtojnë jetën e tyre. Jam i gatshëm të ndihmoj në hetim”, – thotë princi në një deklaratë zyrtare të postuar në mediat sociale.

Andrew, në një intervistë ekskluzive televizive me BBC në pallatin Buckingham, e cila u transmetua në Britani të Madhe më 16 nëntor, u detyrua t’i përgjigjej një serie pyetjesh të pakëndshme, të cilat ngritën pluhur edhe më shumë në publik, shkruan KOHA Ditore. Një nga viktimat e Epsteinit, Virginia Giuffre, pretendon se princi Andrew kishte marrëdhënie seksuale me të kur ajo ishte vetëm 17-vjeçare.

Por kjo nuk është hera e parë që princi Andrew është ndërlidhur me çështje kontroverse. Ai ka qenë nën hetim disa herë dhe atë për shkak të takimit me Saifin, djalin e diktatorit libian Moamer Gaddafi. Ai gjithashtu kishte lidhje të ngushta me Timur Kulibayev, dhëndrin e presidentit të atëhershëm të Kazakistanit, i cili e bleu një prej pronave të princit për tre milionë funte më shumë sesa që kërkonte ai. / KultPlus.com

Të ngjajshme