12 Dhjetor, 2020 - 6:28 pm
Ka mbetur edhe një javë deri tek përfundimi i gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/2021. Qeveria e Kosovës ka marr vendim ditë më parë që pushimi dimëror të zgjas një muaj. Për këtë vendim të pakënaqur janë prindërit që po shprehin drojën se një shkëputje kaq e gjatë nga procesi mësimor është në dëm të fëmijëve të tyre. Edhe njohësit e arsimit po thonë se nxënësit duhet angazhuar gjatë kësaj periudhe në mënyrë që të mos dëmtohen më shumë.
Viti i ri shkollor 2020/2021 ka nisur me vonesë. Kjo për shkak të pandemisë Covid-19. Edhe mbyllja e gjysmëvjetorit të parë të këtij viti shkollor do të bëhet më herët, e pushimi dimëror do të zgjas më shumë. Nxënësit do tu kthehen bankave shkollore tek më 18 janar 2021, teksa pushimi në kohëzgjatje prej një muaji nuk është mirëpritur.
Ymret Reshiti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, ka thënë për Express që vendimi i Qeverisë që nxënësit të kenë pushim dimëror një muaj është në dëm të tyre.
“Ky vendim i Qeverisë që pushimi dimëror të zgjaste nga dy javë në 1 muaj shkon në dëm të nxënësve për shkak që edhe më tutje i shmang ata nga procesi mësimor, kur dihet fakti që këtë vit për shkak të pandemisë është mundësuar për një kohë të gjatë thuajse mësimi online ose nga distanca”, ka thënë ai.
Madje Reshiti pohoi se për këtë vendim as që janë konsultuar nga Qeveria.
“Gjithashtu edhe viti shkollor ka filluar me vonesë , pastaj është me gjysmë orari dhe tani nëse zgjatet pushimi nga 2 javë në një muaj është një ngarkesë edhe më tutje në shkëputjen e nxënësve nga procesi mësimor. Ne si Këshill i prindërve e kemi ngriture shqetësimin tonë dhe ne si këshill mendojmë që ka qenë i nxituar dhe se nuk janë vlerësuar drejt rrethanat. Ne nuk jemi konsultuar për këtë çështje”, ka thënë më tutje ai.
Për njohësin e fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci, pandemia dhe mësimi në largësi ka shmangur socializmin e nxënësve duke i lënë ata në distancë nga njëri-tjetri.
“Me siguri më shumë do të dëmtohen fëmijët nga grupet e margjinalizuara që nuk kanë qasje në teknologji, sepse ata nuk do të mund të jenë pjesë e procesit mësimor kur klasa e tyre duhet të shkoj në shtëpi për shkak të rasteve të infeksionit. Pandemia ka lënë pasoja edhe tek fëmijët, sepse në kushte të tilla duhet bërë të kundërtën e asaj që quhet normale. Kështu, në vend të nxiten fëmijët që të jenë sa më afër njëri=tjetrit, ata detyrohen të mbajnë distancë, që pengon bashkëpunimin dhe socializmin në mes tyre. Po ashtu, ata duhet të mbajnë distancë edhe nga mësimdhënësit, që vështirëson ofrimin e ndihmës kur kanë nevojë”, ka thënë ai.
Ndërsa për sa i përket pushimit një mujor dimëror, Pupovci tha se është mirë që gjatë kësaj periudhe nxënësit të angazhohen me detyra shtesë.
“Një muaj është kohë e gjatë, por është mirë që gjatë kësaj periudhe fëmijëve t’u jepen ca detyra që duhet t’i bëjnë në kohën e këtij pushimi të imponuar”, ka deklaruar ai për Express.
Të nevojshëm ai e pa ndryshimin e kalendarit shkollor në mënyrë që të kompensohen orët e humbura përgjatë kësaj periudhe..
“Pastaj, është me rëndësi që të ndryshohet kalendari shkollor në mënyrë që të realizohet numri i duhur i ditëve të punës, qoftë edhe nëse duhet punuar në dy javët a para të korrikut. Kosova bën pjesë në mesin e vendeve evropiane që kanë më së paku ditë mësimi gjatë një viti shkollor dhe nuk është mirë që numri i tyre të zvogëlohet edhe më shumë, duke marrë parasysh pasojat që edhe ashtu i shkakton pandemia”, ka potencuar ai.
Kujtojmë që më 1 dhjetor të këtij viti, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, njoftoi që kanë marr vendim që gjysmëvjetori i parë të përfundoj me 18 dhjetor.
Ai konfirmoi se nxënësit bankave shkollore do tu kthehen më datë 18 janar.
Pra nga dy javë sa i kishin pushim nxënësit, si pasojë e pandemisë dhe rritjes së infeksioneve edhe në shkolla të vendit, pushimi është zgjatur në një muaj. /Gazeta Express/ KultPlus.com