22 Prill, 2020 - 10:45 pm
Derisa ka mbetur edhe rreth 1 muaj deri në përfundimin e vitit shkollor 2019/2020, ende nuk ka një vendim të Ministrisë së Arsimit se si do të përmbyllet ky vit.
MASHTI ka bërë të ditur për KOHËN se brenda pak ditëve do ta publikojë një vendim që e rregullon aspektin ligjor të përfundimit të vitit shkollor, si dhe do të nxjerrë udhëzim për vlerësimin e nxënësve.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, MASHTI ka njoftuar se është krijuar një grup i gjerë profesional i përbërë nga ekspertët e Kosovës dhe rajonit. Vendimi për këtë çështje pritet të merret nga MASHTI në bashkëpunim me drejtoritë komunale të Arsimit, raporton KOHA.
“Zgjidhja e MASHTI-t merr parasysh zgjidhjet që janë bërë në vende të rajonit (Kroaci) dhe në vendet e avancuara (si për shembull Kanada), që karakterizohen nga një qasje njerëzore dhe profesionale. Sipas kësaj, nxënësi nuk mund të vlerësohet më pak se nota e fundit më 11 mars 2020, kur është ndërprerë mësimi për shkak të COVID-19. Po ashtu, zgjidhja jonë merr parasysh dispozitat ligjore të Kosovës, si për shembull gjetjen e zgjidhjeve konkrete në rastet kur një nxënës nuk është i kënaqur më notën përfundimtare. Pos kësaj, udhëzuesi parasheh një qasje e cila rregullon saktë raportet mësimdhënës – prindër – nxënës duke shmangur tejngarkimin dhe presionin në këtë relacion”, thuhet në njoftimin e zyrës për media të Ministrisë së Arsimit.
Ministria e Arsimit në Shqipëri ua ka lënë prindërve dhe nxënësve të vendosin vetë nëse duan përsëritje të vitit pa u penalizuar në dëftesat e tyre apo nëse duan ta përmbyllin vitin duke kaluar në klasën tjetër.
Sipas kryetarit të Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti, një ide të tillë duhet ta praktikojë edhe Ministria e Arsimit në Kosovë.
Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, vlerëson se procesi mësimor në distancë është duke u realizuar me sukses dhe nuk duhet të mendohet përsëritja e vitit.
Në Kosovë, mësimi në shkolla është pezulluar më 11 mars për shkak të pandemisë Covid-19. Nga 23 marsi mësimi ka nisur të zhvillohet në distancë fillimisht për nivelin e ulët dhe arsimin e lartë e më pas edhe për shkollat e mesme. Koha.net / KultPlus.com