3 Korrik, 2019 - 1:42 pm
Sot, Kryetari Shpend Ahmeti priti në takim Kryeministrin Ramush Haradinaj, ku nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit për projektin “Prishtina e Re”. përcjell KultPlus
Bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës për çështje të rëndësishme për Kryeqytetin, si Ligji për Prishtinën, Unaza e Qytetit, Salla Koncertale e Pallati i Rinisë, po vazhdon me fillimin e projektit infrastrukturor “Prishtina e Re”.
“Vitin e kaluar kemi pasur një kërkesë të jashtëzakonshme për ndërtime, dhe ka kohë që është diskutuar kalimi i pjesës administrative të institucioneve në “Prishtinën e Re”. Kemi arritë që pas disa muaj negociata, projekti i zgjerimit të “Prishtinës së Re” të bëhet në koordinim të plotë me Qeverinë e Kosovës. Çdo hap do ta bëjmë bashkë dhe çdo gjë do të jetë transparente”, ka thënë Kryetari Shpend Ahmeti.
“Ne kemi vazhduar bashkëpunimin me Kryetarin Ahmeti në disa tema të mëdha në infrastrukturë, kërkesa direkte, Pallati i Rinisë, Qarkorja dhe disa projekte të tjera. Tani jemi duke shënuar ngjarjen me të madhe në infrastrukturë. 20 vjet më pare, ndoshta ju kujtohen idetë për bartjen e institucioneve në Hajvali. Ka pasë ide të ndryshme, por pas 20 vjetëve projekti për Prishtinën e Re po merr jetë” shtoi Kryeministri Ramush Haradinaj.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje i jep kahje të re infrastrukturore dhe zhvillimore Prishtinës, i jep fund kaosit urban dhe vendosë një rend të ri dhe funksional në Kryeqytet./ KultPlus.com