8 Nëntor, 2024 - 4:02 pm
Mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë nisi edicioni i katërt i Prishtina Music Conference, një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës dhe industrisë kreative në Kosovë, shkruan KuktPlus
Përgjatë ditëve të Prishtina Music Conference, artistë dhe profesionistë të industrisë takohen për të ndarë histori të sukseseve dhe sfidave të tyre.
I pranishëm në ceremoninë hapëse të Prishtina Music Conference ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili theksoi se gradualisht ky festival po bëhet një nga më rëndësishmit në industrinë e muzikës në Kosovë.
“Jam shumë i lumtur që jam sot këtu me një përgjigje me shumë gatishmëri për të ardhur në këtë edicion të Prishtina Music Conference, që me ekipin që kanë mrapa dhe me vizionin që e ka shtruar, është duke e bërë diferencën, kështu që fillimisht një falënderim për gjithë djemtë dhe vajzat, burrat e gratë që qëndrojnë edhe mrapa konferencës dhe gjithë javës.
Prishtina Music Conference gradualisht po shndërrohet ne një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e muzikës në Kosovë”, theksoi ministri Çeku.
Më pas fjalën e mori Erich Dietz nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë.
“Është kënaqësi të jem sot këtu që marr pjesë në këtë konferencë. Këto ngjarje theksojnë kulturën muzikore në Kosovë dhe theksojnë rëndësinë e mbrojtjes të së drejtave autoriale. Të gjithë e dijmë se si mbështetja e artit mund të na çojë tek ndryshimet pozitive dhe besoj se Kosova e ka këtë potencial, muzika nuk është vetëm art, por gjithashtu edhe një katalizator i fuqishëm për zhvillimin ekonomik, social e shoqëror”, tha Dietz, duke shtuar më tutje se muzika ka fuqi që të krijojë ura të reja për shkëmbimin e kulturave.
Ndërkaq, në hapjen e Prishtina Music Conference fjalën e mori edhe Nuno Queirós, përfaqësuesi rezident i UNDP, organizatë kjo që e mbështet këtë festival.
“Është kënaqësi që të jem pjesë e komunitetir artistik këtu në këtë konferencë. Muzika është më shumë se sa argëtim, është një mënyrë e vetëshprehjes, është bazë e një identiteti kulturor, është shtytës i një rritje ekonomike. Muzika ka potencial që të ndikojë në të ardhurat dhe në pasurimin kulturor në mbarë Kosovën,” tha Quierós, i cili mes tjerash shtoi se në secilën ditë shohim një kreativitet të shkëlqyer të artistëve kosovarë.
Ju kujtojmë se Prishtina Music Conference do të zgjasë deri më 9 nëntor, e përgjatë këtyre ditëve bashkon artistë, krijues dhe individë të pasionuar pas muzikës, duke i dhënë secilit mundësinë për të ndërtuar lidhje të qëndrueshme dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin në rrugën drejt suksesit./KultPlus.com