29 Tetor, 2024 - 3:01 pm
Më 3 nëntor 2024, të rinjtë e moshës 12 deri në 19 vjeç nga e gjithë Evropa, do të bashkohen për “Ditën e Filmit për Audiencën e Re,” që shënon edhe “Muajin e Filmit Evropian 2024.”
Ky event, i mbështetur nga “Creative Europe MEDIA” dhe organizuar nga “Akademia Evropiane e Filmit,” do të shfaq filmin “SCRAPPER” nga Charlotte Regan nëpër gati 30 shtete të europës. DokuFest, pas 10 vitesh pjesëmarrje, do të organizojë edhe këtë vit Çmimin Evropian për Audiencën e Re në Prizren, duke shfaqur filmat e nominuar nga Akademia Evropiane e Filmit (EFA) për audiencat e reja.
“SCRAPPER”, fitues i “Çmimit Evropian për Audiencën e Re 2023”, shfaq historinë emocionuese të 12-vjeçares Georgie (Lola Campbell), e cila jeton në Londër derisa vizita e papritur e babait të saj që kishte kohë pa e parë(Harris Dickinson) e detyron atë të përballet me realitetin. Pjesëmarrës në këtë event do të kemi nxënës nga Shkolla Gani Saramati, përfshirë edhe nxënës të komunitetit boshnjak, së bashku me nxënës nga Shkolla Fadil Hisari. Pas shfaqjes së filmit do të ketë një Q&A të drejtpërdrejtë me pyetje nga të rinjtë që marrin pjesë, e organizuar nga Klubi Evropian i Filmit në Lucerne, Zvicër.
Qytetet që marrin pjesë do të ofrojnë gjithashtu workshop-e dhe aktivitete interaktive, duke inkurajuar të rinjtë të angazhohen me kinemanë evropiane. Në Prizren, të rinjtë do të kenë mundësinë të krijojnë një klip të shkurtër për një shfaqje kinematografike në YouTube, dhe klipet e përzgjedhura do të shfaqen gjatë eventit. Për ata që nuk mund të jenë prezent fizikisht, do të organizohet një “Watch Party” online, duke ofruar mundësinë për të qenë pjesë e këtij eventi me adhurues të rinj të filmit nga e gjithë Europa.
Dita do të përfundojë me shpalljen e tre filmave të nominuar për “Çmimin Evropian për Audiencën e Re 2024” dhe një ftesë të hapur për të rinjtë për të aplikuar për t'u bashkuar me jurinë e 99 anëtarëve të rinj që do të zgjedhin fituesin.
Ky event shënon fillimin e gjashtë javëve që festojnë filmin evropian dhe diversitetin e tij, duke bashkuar audiencat nga Reykjavik deri në Athinë dhe qytete të vogla si Prizren./express/KultPlus.com