Profesorë e studentë nga dega e gazetarisë në UP mbajnë tryezë diskutimi, flasin për Media40 dhe problemet aktuale të medias

15 Prill, 2024 - 7:36 pm

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery sot është mbajtur një tryezë diskutimi lidhur me problemet aktuale të medias në raport me disa faktorë të cilët janë duke ndryshuar për shkak të evoluimit të teknologjisë dhe gjendjes politike aktuale që është duke u zhvilluar në vend dhe në botë.

Diskutmit të sotëm i cili u realizuar me profesorët universitarë Alban Zeneli, Gëzim Qerimi dhe Muhamet Jahiri si dhe me studentët e gazetarisë, i ka paraprirë realizimi i projektit “Media 2040: Fuqizimi i avokuesve të rinjë për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, i cili paraqet vizionin se si duhet të jenë mediat e rajonit në vitin 2040.

Profesori universitar, Alban Zeneli, ka thënë se është ndarë i kënaqur me projektin në fjalë dhe me faktin se gjashtë studentë nga Kosova kanë arritur të jenë pjesë e themelimit të vizionit të medias për vitin 2040.

“Sot ky diskutim është bërë i mundur në kuadër të një projekti i cili ka filluar në tetor të vitit të kaluar, e në të cilin kanë qenë pjesëmarrës gjashtë studentë të Fakultetit të Gazetarisë, të cilët së bashku me kolegë nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor kanë punuar për disa muaj për të ndërtuar një vizion se si ata mendojnë që duhet të jetë media në vitin 2040. Kjo formë e bashkëpunimit përveç që ishte normalisht një eksperiencë e re për studentët tanë, ishte një mundësi e mirë për të parë se si mendojnë edhe rajoni në raport me problemet e medias në pesë shtyllat kryesore siç janë: Gazetarët, Institucionet Mediatike, Shteti & Politika, Teknologjia, Tregu & Ekonomia”, ka thënë profesori Zeneli.

Më tej, profesori Zeneli ka bërë të ditur se shumë shpejt në website-in e fakultetit do të paraqiten të gjitha materialet të cilat shpjegojnë në tërësi gjendjen të cilën e kanë skanuar gazetarët në projekt dhe se si është reprezentuar gjendja për më vonë, në kuadër të vizionit të vitit 2040.

Ndërkaq, profesori Gëzim Qerimi sa i përketë temës “Relacioni media-shtet ose media-politikë” ka thënë se nuk pajtohet me shprehjen se mediat janë pushteti i katërti demokracisë, pas ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit pasi ato sipas tij i përkasin shoqërisë dhe si të tilla duhet ta përfaqësojnë atë.

“Unë pajtohem me autorë që në realitet nuk pajtohen në asnjë rrethanë që mediat të emërtohen si pushteti i katërt sepse mediat nuk janë pushtet por i përkasin shoqërisë dhe duhet ta përfaqësojnë shoqërinë. Ato duhet të jenë në aleancë me shoqërinë. Ajo që është e rëndësishme në krejt diskutimet në nivel global sa i përketë relacionit shtet- media apo politikë media është ideja se si duhet të krijohet kushte të përshtatshme për funksionimin  e mediave të lira dhe të pavarura” ka thënë profesori Qerimi.

Ai më tutje përmendi edhe mënyrën e funksionimit të medias në disa vende të botës siç janë Rusia, Kina e Kazakistani të cilat në kuptimin deklarativ kanë liri të mediave mirëpo praktik ekziston e kundërta.

“Sot në 190 shtete të botës, 99 % e deklarojnë veten që janë shtete demokratike dhe në të njëjtën kohë që kanë pluralizëm medial. Por kjo është vetëm në aspektin deklarativ, ndërkaq në aspektin teknik ne vërejmë që dallojnë funksionimi i mediave në Evropë nga ai i SHBA-së, pra në këto vende shumë të zhvilluara e lëre më në vende të ndryshme të botës. Sot po themi vende demokratike e quajnë veten edhe Rusia, Kina, Kazakistani dhe shumë vende të tjera të botës mirëpo nëse flasim në kuptimin praktik ne e vërejmë që atje ka liri të mediave dhe nuk ka pluralizëm të mediave”, ka thënë profesori Qerimi.

Ai më tej për funksionimin e gjendjes së mediave në Kosovë dhe të vendeve të rajonit, e ka lidhur me shtrirjen gjeografike, e cila detyrimisht e heq nga mënyra e funksionimit të vendeve të lartë përmendura.

“Fati i madh i gjashtë vendeve të rajonit perëndimor është një element pozitiv që kushtet e funksionimit të mediave nuk varen nga këto shtete. Nuk varet drejtpërdrejt nga institucionet e këtyre shteteve por shumë më shumë nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare dhe territori nga ku ne jetojmë, sepse gjeografikisht ne jemi pjesë e Evropës dhe vetë synimet tona strategjike janë anëtarësimi në BE dhe anëtarësimi në NATO. Kjo tregon që ne nuk mund të kemi një demokraci të stilit të Kazakistanit apo të Koresë, por se duhet pasur një demokraci që është reale me aspirata të vendeve të tjera të BE-së”, ka thënë më tej Qerimi duke potencuar se në Kosovë ka pluralizëm të medias, mirëpo me një dozë autocenzure e cila vjen si pasojë e kushteve të mjerueshme në të cilat punojnë gazetarët.

“Sa i përketë aspektit praktik është e vërtetë që te ne në kuptimin kushtetues, ligjor kemi pluralizëm të plotë të mediave. Besoj që kjo është e vërtetë dhe pajtohem me këtë element. Në të njëjtën kohë pajtohemi që nuk ka edhe cenzurë në media sepse te ne çdo figurë publike mund të jetë kritikuese në mediat tona, duke filluar prej presidentit për të vazhduar më tej për çdo persoanlitet tjetër publik. Por, e vërteta është që te ne mediat nuk e ka fuqinë ose kushtet e duhura për të treguar fuqinë e tyre reale, sikurse është në një demokraci të mirëfilltë. Pra, te ne nuk ka cenzurë por në shumicën e rasteve autocenzrë. Autocenzura vjen si rezultat që kushtet në të cilat punojnë mediat te ne janë kushte të mjerueshme”, ka thënë profesori Qerimi.

Ndërsa, profesori tjetër Universitar, Muhamet Jahiri, sa i përketë politikës editoriale të medias është shprehur se në të ndikojnë pronësia e mediave, mënyra e financimit, personat me orientim të caktuar politik, grupet e interesit, shërbime të ndryshme të infiltruara në media, aspekti i klikimeve etj që kryesisht ndikojnë negativisht në klimën e funksionimit të mediave në përgjithësi.

Ndërsa si element pozitiv ai ka potencuar pluralizmin e mediave, e cila edhe indirekt mundëson që publiku të pajiset me të vërtetën.

“Natyrisht që e mira e Demokracisë është që edhe në Kosovë kemi një pluralizëm të medial dhe kjo nënkupton që pavarësisht politikave editoriale, kur ne kemi shumë media, dhe shumë qëndrime, ne gjithmonë kemi për të marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të vërtetën e ngjarjeve që ndodhin në vendin tonë. Dhe kjo ndikon në informimin e drejtë, të saktë dhe korrekt dhe shërbimit në interes të publikut”, është shprehur profesori Jahiri

Ai më tej ka shtuar se mediat në Kosovë kryesisht janë kredibile, të cilat ndikojnë edhe në avancimin e shoqërisë në përgjithësi.

“Gjendja në Kosovë ndërlidhet edhe me një dukuri tjetër që është pozitive, kerdibiliteti i mediave. Shumica e mediave në Kosovë janë media kredibile, janë media që kanë krijuar traditë, besueshmëri, përvojë të cilat ndikojnë edhe në avancimin e shoqërisë dhe avancimin e gazetarisë. Kjo nënkupton edhe stabilitetin demokratik të vendit. ”, është shprehur profesori Jahiri duke e cilësuar si sfidë aktuale në politikën edioriale dukurinë e dezinformimit.

“Sfidë mbetet dezinformirmi i cili është një faktor që e dëmton edhe politikën editoriale sepse shpesh bëhet në mënyrë të qëllimtë prej grupeve të tjera por që nuk i përkasin botës së mediave, sepse po i sfidon edhe politikat editoriale ku dezinformomi ndikon drejtpërdrejt në shoqërinë tonë. Kjo është e theksuar në vendet ku ka vetëdije të ulët, ku nuk ka gjykim të mjaftueshëm kritik dhe ku ka një mungesë absolute të edukimit medial, i cili do të ndikonte në evidentimin e këtyre informatave dhe në të njëjtën kohë edhe eliminimin e tyre”, ka potencuar profesori Jahiri.

Krejt në fund të ngjarjes u bënë diskutime mes profesorëve dhe studentëve të gazetarisë mbi rolin e medias në përgjithësi, dhe për projektin  “Media 2040: Fuqizimi i avokuesve të rinjë për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, i cili është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës./ KultPlus.com

Të ngjajshme