Programi i Javës Kulturore të Maqedonisë së Veriut, nis më 23 prill

20 Prill, 2025 - 10:57 am

Tirana mirëpret “Javën Kulturore të Maqedonisë së Veriut”, e cila do të zhvillohet nga data 23 deri më 30 prill, si pjesë e nismës që promovon kulturën, artin dhe traditat e vendeve të rajonit dhe jo vetëm në Shqipëri.

Gjatë kësaj jave do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore që sjellin një ndërthurje të harmonisë tradicionale me ritmet moderne. Publiku do të ketë mundësi të ndjekë një koncert novator, ku do të bashkohen pianoja klasike, ajo elektronike dhe muzika e një DJ-i, duke krijuar një përvojë unike muzikore.

Në kuadër të javës do të hapet edhe një ekspozitë kushtuar kostumeve tradicionale të Maqedonisë së Veriut, që pasqyrojnë bukurinë dhe trashëgiminë kulturore të këtij vendi. Po ashtu, nuk do të mungojnë shfaqjet teatrore që sjellin në skenë historinë dhe shpirtin e popullit maqedonas.

Për të gjithë adhuruesit e verës, do të organizohet një degustim i verërave autentike nga Maqedonia e Veriut, duke ofruar një përvojë të veçantë për shijet e dashamirësve të kulinarisë.

Aktivitetet do të zhvillohen në pika të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa organizatorët ftojnë qytetarët të shfletojnë kalendarin e plotë për të mos humbur asnjë prej eventeve që përçojnë kulturën dhe krijimtarinë bashkëkohore të fqinjit tonë lindor./ KultPlus.com

Të ngjajshme