Projekti i studentes Arita Dreshaj u përzgjodh ndër më të mirët në Akademinë Gjermane

11 Shtator, 2019 - 6:50 pm

Sa herë do të merret në duar libri që do t’i kushtohet 100 vjetorit të themelimit të Akademisë së famshme gjermane “Bauhaus”, në faqet e tij do të jetë gjithmonë edhe njëri nga projektet e një vajze të re nga Kosova, studente e Universitetit të Prishtinës.

Arita Dreshaj, studente e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, u nominua për projektin më të mirë të vitit në nivelin master e në mesin e qindra studentëve të tjerë u radhit e katërta.

Ajo tregon se si një vendim që ajo e mori doli të jetë hapi më i rëndësishëm, që ajo e kishte bërë deri atëherë në jetën e saj.

“Në mars të këtij viti u bëra pjesë e programit Erasmus+, si exchange student në Institutin e Arkitekturës në Dessau. Këtë shkëmbim e ka mundësuar Universiteti i Prishtinës, vendimi për t’u bërë pjesë e këtij programi doli të jetë hapi më i rëndësishëm në karrierën time.
Në një shkollë prestigjioze Gjermane, e cila ndërtoi historinë e arkitekturës qysh nga vitet 1919, kisha nderin të nominohem për projektin më të mirë të vitit në nivelin Master, në mesin e qindra studentëve nga 33 vende të ndryshme të botës”, tregon Dreshaj për Ndërtimi.info.

Ajo rrëfen që këtë vit ishte hera e parë që u nominuan edhe studentët me program shkëmbyes si kandidatë për çmimin e vitit në këtë akademi. E kjo ndodhi pas kërkesës së arkitektëve të rëndësishëm nga Gjermania, të cilët e përbënin jurinë, për përzgjedhjen e projektit.

Pas kësaj Dreshaj tregon ndjesinë që kishte derisa e paraqiste projektin e saj para arkitektëve profesionistë dhe botimin e tij në librin e vitit të Universitetit DIA.

“Sa herë që këta arkitektë përballë meje tundnin kokën për argumentet e mia, për secilën duartrokitje të tyre i falënderohem Universitetit të Prishtinës ku edhe kam marrë bazën si studente e arkitekturës.
Fakti që projekti im do të publikohet në librin e vitit të Universitetit DIA, e bën të paharrueshëm këtë nominim. Këtë vit libri do t’i kushtohet 100 vjetorit të themelimit të akademisë Bauhaus. Jam e lumtur që në një libër me kaq rëndësi do të shkruhet për një emër nga Kosova”, rrëfen Arita Dreshaj.

Studentja e nominuar shpjegon projektin e saj, cili do të jetë një “Qendër për Mësim” në Berlin e që do t’i përshtatet ritmit të arkitekturës së qytetit dhe linjave topografike të terrenit.

“Projekti është një Learning Center me lokacion në Berlin. Nga një qytet urban kubik, në një parcelë trekëndëshe, zgjodha të përdor kubet si formë në tërësi ndërsa organizimi i funksionit të jetë i shtrirë në 45 shkallë. Kështu, njëkohësisht objekti përfiton në dritë dielli, fasadat përcjellin ritmin e ndërtesave ekzistuese dhe linjave topografike të terrenit”, shpjegon Dreshaj.

Për Aritën ky nuk ishte projekti i parë, për të cilin ka marrë fjalë të mira. Në kohën sa ishte studente e vitit të dytë e Arkitekturës në UP, kishte paraqitur një projekt ideor për të transformuar objektin prapa shtatores së heroit Zahir Pajaziti, për t’i sjellë kryeqytetit frymë të re dhe për t’iu përshtatur gjallërisë së tij. Projekt ky që sipas saj u pëlqye si nga stafi akademik ashtu edhe institucionet publike. /KultPlus.com

Të ngjajshme