11 Shtator, 2020 - 10:20 am
Zyra e Unicef-it në Kosovë në bashkëpunim me Fondacionin Utalaya kanë sjellur në jetë projektin “URRA”, që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e angazhimit të fëmijëve me prindër në aktivitete të ndryshme që nxisin zhvillimin e fëmijëve, përfshirë leximin, ndërveprimin dhe aktivitete të ndryshme në natyrë për mirëqenien e tyre të përgjithshme.
Programi i Zhvillimit të Fëmijërisë së Hershme në kuadër të UNICEF-it ofron studime shkencore të cilat flasin për rëndësinë e momenteve të hershme në jetën e fëmijëve nga mosha 0-6 vjeç. Jo rastësisht edhe sllogani i iniciativës për shpërndarjen e pakove mbështetëse me materiale didaktike është “Gjashtë vitet e para nis e mbara”!
Këto vite paraqesin kohën vendimtare për zhvillimin e trurit të fëmijëve dhe këtu hyjnë gjidhënja dhe të ushqyerit e shëndetshëm, mbrojtja dhe siguria, edukimi në fëmijërinë e hershme dhe vëmendja e përgjegjshme nga kujdestarët. Ky kombinim i natyrës dhe ushqimit vendos themelin e së ardhmes së një fëmije.
Statusi i ulët socio-ekonomik mund të ndikoj negativisht në zhvillimin e fëmijëve. Konsideruar shkallën e varfërisë në Kosovë, e cila qëndron në 18% sipas statistikave të vitit 2019, mund të kuptojmë se fëmijët në Kosovë kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe programe që u mundësojnë atyre një zhvillim të shëndetshëm për të arritur potencialin e tyre të plotë.
Përveç kësaj, në Kosovë vetëdija e prindërve mbi rëndësinë e zhvillimit të fëmijërisë së hershme dhe parapërgatitjes për shkollë është e ulët. Aktualisht rreth 14% e fëmijëve mes moshës 3-5 vjeç janë duke ndjekur një program arsimor të fëmijërisë së hershme.
Mirëpo ky nuk është i vetmi faktor determinues për ngecje në zhvillim. Kohëve të fundit jeta dinamike e të rriturve dhe pamundësia për t’iu përkushtuar fëmijëve, izolimi me rastin e pandemisë Covid-19 dhe ekspozimi i tepërt i fëmijëve ndaj pajisjeve elektronike si dhe mos angazhimi fizik, shpesh dëmtojnë zhvillimin kognitiv dhe fizik të fëmijëve. Prandaj, është mëse e rëndësishme që prindërit e kujdestarët të nxiten sa më tepër për përfshirjen më të madhe të fëmijëve në aktivitete edukative dhe fizike (sportive). Kjo është edhe arsyeja pse “URRA” ka filluar punën e vet pikërisht në këtë periudhë.
Ekipi entuziast i “Urra”-s, planifikon të vizitojë shkolla, qendra dhe grupe të ndryshme të fëmijëve dhe prindërve në të gjitha komunat e Kosovës, duke u fokusuar në vizitat e komuniteteve të cenueshme, grupe këto të cilat kanë më së shumti nevojë për vëmendje, angazhim dhe përkushtim.
Projekti “URRA” ka mundësuar përkthimin e librit “Uta e Maleve” edhe në gjuhën Rome dhe Serbe, ashtu që fëmijët e prindërit e këtyre grupeve minoritare të kenë mundësinë të kuptojnë rrëfimin e alpinistes Uta dhe të inspirohen nga veprimtaria e saj e cila filloi me një ëndërr të thjeshtë si fëmijë nga ana e saj, me përkushtimin e prindërve të saj nga ana tjetër, të cilat ishin gurthemelet e ambicies dhe vendosmërisë së saj për të arritur qëllimin pavarësisht vështirësive.
Përveç kësaj është krijuar edhe libri i ri “Uta e Maleve-Libër për Ngjyrosje” poashtu i përshtatur dhe adaptuar në tre gjuhë. Në këtë libër përfshihen edhe detyra të ndryshme të cilat nxisin fëmijët të krijojnë rutinë të shëndetshme trupore dhe mendore. Faqet e para të librit për ngjyrosje “Uta e Maleve” i dedikohen virusit Covid-19 dhe me ilustrime e tekst të thjeshtë udhëzojnë e mësojnë fëmijët se si të mbrohen nga ky virus.
Ditën e djeshme, me datën 10 shtator u përurua dhe zyrtarizua kjo iniciativë ku prezent ishin Ramë Likaj- Ministër i Edukimit dhe Shkencës, i cili shprehi mirënjohjen ndaj kësaj iniciative duke theksuar rëndësinë e edukimit të hershëm si dhe përfshirjen e programit në strategjitë e Ministrisë së Shkencës dhe Edukimit, me ç’rast falënderoi edhe njëherë UNICEF-in për përkrahjen e dhënë për krijimin e platformës së Edukimit në Distancë e cila iu del në ndihmë prindërve për realizimin e aktiviteteve ditore me fëmijët.
Prezent ishte edhe Mentor Morina – u.d Udhëheqës i Departamentit për Politika Sociale dhe Familjare, i cili tha se këto iniciativa maksimalizojnë gjithpërfshirjen duke targetuar grupet e margjinalizuara dhe duke kontribuar në asistencën sociale me mjete mbrojtëse nga COVID-19, si dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së familjeve në nevojë në aspektin e edukimit dhe zhvillimit të hershëm.
Fjalën e mori edhe Ambasadori i Japonisë Mitsunori Ogasawara, ambasadë e cila njëherit është edhe mbështetëse e projektit, dhe u shpreh se kjo mënyrë e ndihmës për familjet në nevojë në këtë kohë ka ndikim shumë pozitiv dhe vjen në kohën e duhur. Ogasanawara tha se përkrahja me materiale shkollore dhe argëtuese vjen si surpriza më e këndshme për fëmijë.
Shefi i Zyrës së UNICEF në Kosovë, Murat Şahin tha se Shtatori është muaj tepër i rëndësishëm për secilin fëmijë sepse vjen koha e bërjes së librave, materialeve shkollore dhe gjithcka tjetër të nevojshme për nisjen e vitit shkollor, mirëpo për familjet e varfëra kjo periudhë nuk është aq e mirëpritur. Prandaj, tha Şahin, ky donacion i ofrohet plot 5000 familjeve ashtuqë secili fëmijë të ketë mjetet e veta, dhe jo ti ri-përdor mjetet e vjetra të vëllezërve ose motrave. Ai përgëzoi ministrin e Edukimit dhe Shkencës për punën e bërë në lidhje me lansimin e platformës për Edukim në Distancë (www.edukimihershem.rks-gov.net), dhe tha se suksesi i saj shihet e matet nga vizitat që i bëhen kësaj platforme (deri tash 2.5 milion vizita), ku fëmijët mund të mësojnë, këndojnë e vizatojnë nga shtëpia.
Şahin, për fund shtoi se Uta Ibrahimi kësaj radhe ka ndërruar planet e saj për ekspedita vetëm për të qenë pranë fëmijëve në këtë kohë, si dhe u shpreh se veprimtaria e saj është model që duhet të shërbej si shembull për të gjithë fëmijët dhe mesazhi kryesor është “ndiq ëndrrat tua dhe lufto çdo paragjykim”.
Ndërkaq, Uta Ibrahimi tha “Sot po e shënojmë ditën më të rëndësishme të një pune tash disa mujore në bashkëpunim me UNICEF. Fondacioni Utalaya është tepër mirënjohës për faktin se merr pjesë në një projekt humanitar që gëzon edhe zhvillon gjeneratat e reja, si dhe u rikujton prindërve që momentet e hershme të zhvillimit të fëmijërisë janë themelet e ndërtimit të një karakteri të shëndoshë si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik.
“Gëzimi më i madh për mua personalisht është fakti se do të takojë fëmijë nga komunitetet e ndryshme dhe ata do të kenë rastin të inspirohen nga rrëfimi im, në gjuhën të cilën e flasin”, thotë Uta.
Përmes këtyre librave të cilët do të dhurohen në 5,000 familje si pjesë e pakove me materiale didaktike të përgatitura nga UNICEF, do të mbahen edhe aktivitete që zhvillohen nga ekipi i URRA’s, udhëhequr nga Uta Ibrahimi-personazhi kryesor i librit.
Këto aktivitete do të përfshijnë punëtori me fëmijë dhe prindër, ku përmirësohen aftësitë e leximit dhe shkrimit, mësim-nxënies, shprehjen e mendimeve dhe ëndrrave të fëmijëve për të ardhmen, krijimin e shprehive të shëndetshme, stimulimin për angazhim fizik të fëmijëve me planifikim ushtrimesh, socializimin, edukimin mbi tolerancën, barazinë gjinore dhe etnike etj.
Projekti “URRA” është urë lidhëse në mes prindit dhe fëmijës si dhe qëllimi fondamental i tij mbetet angazhimi më i madh i prindërve në kujdesin ndaj fëmijës, duke qenë në dispozicion për ta jo vetëm me obligimet rutinore por tu lexojnë fëmijëve më tepër, si dhe të luajnë me ta sa më shumë, sepse këto aktivitete krijojnë rrënjë të forta për zhvillimin kognitiv dhe emocional, si për fëmijët ashtu edhe prindërit.
Pra, URRA vjen si një brohërimë e fortë gëzimi dhe fton të gjithë prindërit e fëmijët të përcjellin aktivitetet e realizuara nga projekti (të cilat mund ti përcjellni në Utalaya Facebook dhe Utalaya Instagram) sepse përfitimet janë të shumta për të dyja palët.
UNICEF zhvillon edhe projekte tjera me qëllimin e njëjtë, dhe për tu qasur në aktivitete ditore për fëmijët tuaj, vizitoni platformën e Edukimit në Distancë “Kujdesi Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0-6 vjeç”. / KultPlus.com