Projektligji anti-doping në sport, Çeku: Shanse të barabarta për të gjithë garuesit

29 Shtator, 2022 - 3:17 pm

Sot është duke u mbajtur Seanca e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast po diskutohet për një mori gjërash, në mesin e tyre edhe projektligji anti-doping në sport, shkruan KultPlus.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin anti-doping në sport, ku pas miratimit një fjalim e pati edhe Hajrulla Çeku.

Ministri i Kulturës tha se ky ligj do t’iu mundësojë drejtësi dhe shanse të barabarta të gjithë garuesve.

“Projektiligji do ta rregullojë fushën e antidopingut në sportin e Kosovës dhe ka tre objektiva. Njëri është fuqizimi i integritetit të sistemit sportiv në Kosovë, dy është kujdesi ndaj shëndetit të sportistëve dhe sportisteve të vendit tonë dhe tre është sigurimi i drejtësisë dhe shanseve të barabarta në garat sportive”.

“Projektligji për antidopingun parasheh themelimin e Agjensisë Shtetërore antidoping. Ky entitet i ri që do ta ketë statusin e agjencisë ekzekutive do të jetë administrues i domenit antidoping në sport”.

“Një nga detyrat kryesore të saj do të jetë hartimi i kodit shtetëror antidoping në përputhje me kodin përkatës ndërkombëtar.”, ka thënë Çeku.

67 deputetë votuan pro miratimin të këtij projektligji, derisa nuk pat asnjë abstenim dhe askush nuk ishte kundër. /KultPlus.com

Të ngjajshme