Projektligji i Kinës: Ndalimi i veshjeve që “lëndojnë ndjenjat e kombit”

7 Shtator, 2023 - 8:55 am

Një projektligj që ndalon fjalimin apo mënyrën e veshjes, të cilat konsiderohen të dëmshme për shpirtin e popullit kinez, ka zgjallur mjaft debate në Kinë.

BBC raporton se nëse ligji hyn në fuqi, personat e shpallur fajtorë mund të gjobiten ose të burgosen, por projektligji nuk përcakton ende se çfarë përbën shkelje. Ligji i veshjeve ka tërhequr reagime të menjëhershme nga publiku, më shumë online që e kritikojnë atë si të tepruar dhe absurd.

Sipas propozimeve të diskutueshme, njerëzit që veshin ose detyrojnë të tjerët të veshin veshje dhe simbole që “minojnë shpirtin ose lëndojnë ndjenjat e kombit kinez”, mund të ndalohen në burg deri në 15 ditë dhe të gjobiten deri 680 Dollarë. Po ashtu, ata që krijojnë ose shpërndajnë artikuj ose fjalime që konsiderohen të dëmshme për shpirtin e popullit kinez, mund të përballen me të njëjtin ndëshkim.

Ndryshimet ligjore të propozuara ndalojnë gjithashtu fyerjet, shpifjet apo cënimin e emrave të heronjve dhe martirëve vendas si dhe dëmtimin e statujave të tyre përkujtimore.

Në reagimet e tyre në mediat sociale, njerëzit vunë në dyshim se si zbatuesit e ligjit mund të përcaktonin në mënyrë të njëanshme kur “ndjenjat” e kombit “lëndohen”. Ekspertët ligjorë në vend kanë kritikuar gjithashtu formulimin e paqartë të ligjit, duke thënë se ai mund të jetë i hapur për abuzim./tvklan.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme