22 Maj, 2022 - 4:00 pm
Festivali Ballkanik, në edicionin e tij të 4-t solli në Korçë ansamblet më të mira, në një festë të vërtetë të traditës.
Gjashtë shtete të Ballkanit, promovuan trashëgiminë e tyre të traditës, në një festival, ku gara mes grupeve mbetet sa simbolike, aq edhe stimuluese për artistët.
Grupet nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Greqia, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut me paradën e kostumeve të tyre kombëtare dhuruan spektakël në rrugët e qytetit të Korçës
Duke përformuar valle tradicionale, këngë e instrumente nën tingujt e muzikës folklorike, ata e kthyen sheshin e Pazarit të Vjetër në Korçë, në qendrën e “Shpirtit të Ballkanit”.
Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Korçës Blerta Balliu tha se “shpirti i Ballkanit ka katër vite që është krijuar dhe ka një qëllim shumë të madh për të bashkuar artin e gjithë Ballkanit, sepse ne jemi kaq shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin”.
Ajo tha se zhvillimi i festivalit të parë Ballkanik në Korçë na bën dy herë krenar.
Në natën finale të këtij festivali mbajtur në teatrin ‘Andon Zako Çajupi’, pas performancës së shkëlqyer nga ansamblet e 6 shteteve pjesëmarrëse, Maqedonia e Veriut u vlerësua fituese e këtij edicioni të 4-t./atsh/ KultPlus.com