14 Nëntor, 2024 - 12:22 pm
Pak kohë pas daljes nga shtypi të librit kushtuar jetës dhe krijimtarisë së piktorit të njohur Fatmir Haxhiu, u organizua një aktivitet promovues, me pjesëmarrjen e familjarëve, miqve dhe adhuruesve të punës së Mjeshtrit të Madh.
Libri është shkruar nga Suzana Varvarica, piktore, skulptore, kuratore ekspozitash, studiuese arti dhe autore librash. Varvaricës iu deshën 5 vite punë dhe komunikime të vazhdueshme me fëmijët e piktorit, për ta sjellë monografinë kushtuar Fatmir Haxhiut. Përveç familjes Haxhiu, librin e mbështeti financiarisht edhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Libri është voluminoz dhe përmban fakte nga jeta e artistit si dhe krijimtarinë e tij të shumtë në tema të historisë, ushtrisë dhe autoriteteve shtetërore. Nuk janë përjashtuar krijime të temave minore si peizazhi e natyra e qetë. Vend të rëndësishëm zë portreti dhe vizatimet.
Gjithashtu, janë të shumta marrëdhëniet me Kosovën dhe detaje të tjera që e pasurojnë librin e artit të llojit monografi “Fatmir Haxhiu”.
Fatmir Haxhiu lindi në Gjirokastër, më 28 dhjetor 1927 dhe u nda nga jeta në Tiranë, më 10 mars 2001.
U njoh herët me emrat më në zë të artit shqiptar si Andrea Mano, Llazar Nikolla, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmin, Odise Paskali e Foto Stamo. Tema e luftës dhe qëndresa heroike e popullit shqiptar në shekuj do të bëheshin motivi kryesor i tërë krijmtarisë së artistit. Për aktivitetin e tij të gjatë e të suksesshëm artistik, Fatmir Haxhiu është nderuar me titujt e lartë “Piktor i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./atsh/KultPlus.com