Promovohet në Prishtinë libri ‘Përdhunimi – një histori turpi, ditari i të mbijetuarve’

14 Tetor, 2021 - 12:06 am

Flonja Haxhaj 

Në përvjetorin e 22-të të themelimit të Qendrës Kombëtare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës është bërë promovimi i librit ‘Përdhunimi – një histori turpi, ditari i të mbijetuarve’, nga autorja Wiola Rebeka, i cili shpërfaq rrëfimeve të të mbijtuarve të torturave seksuale gjatë luftës, përcjell KultPlus.

Në ngjarjen që u organizua në Bibiliotekën Kombëtare të Kosovës ishte e pranishme drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti e cila thotë se kanë përzgjedhur pikërisht promovimin e këtij libri për të shënuar 22-vjetorin e themelimit të kësaj qendre.

“Këtë vit shënimin e 22-vjetorin e Qendrës Kombëtare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës kemi vendosur ta bëjmë duke promovuar librin ‘Përdhunimi – një histori turpi, ditari i të mbijetuarve’ nga zonja Wiola Rebeka, libër ky që lidhet ngusht me misionin dhe vizionin e qendrës Kosovare për rehabilitimin ku kemi nderin dhe kemi kontribuar duke shpalosur historinë kosovare për një audiencë globale përtej kufijve rajonalë e evropianë”- tregon Rushiti e cila më tutje shton se Prishtina është qendra e tretë që promovon këtë libër pas Nju Jorkut dhe Berlinit.

Duke folur për librin ‘Përdhunimi – një histori turpi, ditari i të mbijetuarve’, Rushiti thekson rëndësinë e veçantë sidomos për Kosovës, ku një rrëfim i një prej të mbijetuarve të luftës në Kosovë është paraqitur pikërisht në këtë libër duke njoftuar audiencën globale për atë që ka ndodhur gjatë luftës.

“Më vonë e kam kuptuar  që prirja dhe përkushtimi Wiola Rebeka për të shëruar traumën e dhunës seksuale gjatë luftës i ka rrënjët thellë tek historia traumatike familjare si gjeneratë e tretë e të mbijetuarve të holokaustit, mbesë e një gjyshe të torturuar dhe dhunuar në Luftën e Dytë Botërore ku përtej që e bartë historinë traumatike të gjyshes, padyshim që përvoja e saj na flet shumë edhe për traumën ndër-brezore prandaj kemi menduar që ky libër është me interes të Kosovës për faktin se trauma ndër-brezore po vërehet edhe në ambientet kosovare. Prandaj e kemi sjellë këtë libër në Kosovë, libër ky nga mikja jonë përmban rrëfime të papërshkruara, të padëgjuara të të mbijetuarave të konfliktit në mbarë botën, përfshirë këtu edhe rrëfimin e njërës të mbijetuar të Kosovës, zonjës Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e cila në përvjetorin e 19-të të QKRMT publikisht deponoi kërkesën e saj në Prokurorinë Speciale për të kërkuar drejtësi. “-shton Rushiti.

I pranishëm në promovimin e këtij libri, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili vlerëson se puna me të mbijetuarit e luftës është një punë aspak e lehtë e që kërkon mbi të gjitha, përkrahje institucionale.

“Puna me të mbijetuarit e torturës nuk ëstë aspak e lehtë, nevojitet një gamë e gjerë iniciativash të cilat gërshetohen dhe arrijnë të  adresojnë një pjesë jot ë madhe të njerëzve. Në Kosovë për fat të keq  këto iniciativa e ky gërshetim deri tash kryesisht është bërë nga organizata të shoqërisë civile me përkrahje minimale nga shteti. Me iniciativë edhe më minimale nga shteti.”-thotë Kurti.

Kurti më tutje thekson se të mbijetuarit e luftës do të kenë një përkrahje të madhe nga institucionet e shtetit.

“Sot dëshiroj të theksoj se do të kenë përkrahje të madhe sepse tash kanë në krah edhe institucionet e shtetit të tyre. Është i rëndësishëm sa edhe i veçantë libri që po promovohet sot, libër ky që bën bashkë ekspertizën e autores Wiola Rebeka në psikologjinë e traumës dhe shërimit me rrëfime nga mbarë bota nga periudha të ndryshme kohore, të të mbijetuarave seksuale  gjatë luftës dhe traumave të shumëfishta dhe të stigmatizimit.”- shton kryeministri Kurti, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, rrëfimi i të cilës është paraqitur në librin “Përdhunimi – një histori turpi, ditari i të mbijetuarve” , shprehet e kënaqur dhe krenare që përmes rrëfimit të saj, bota do të kuptojë për atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

“Si e mbijetuar e luftës dhe përmes  rrëfimit tim jam pjesë elibrit ‘Përdhunimi – një histori turpi, ditari i të mbijetuarve’, përgatitur me aq përkushim nga Wiola Rebeka. Së pari dua të falënderoj Violën për punën e palodhshme në përgatitjen e këtij libri dhe dashamirësinë e thellë me të cilin na është qasur gjatë marjes së rrëfimeve por edhe mënyrën dinjitoze  në të cilën i ka prezantuar eksperiencat tona të dhimbshme. Gjithashtu dua të falënderoj QKMRT-në, drejtuar nga drejtoresha Feride Rushiti që më kanë dhënë mbështetjen e parë ku kam fituar mbështetjen tek vetja dhe dalngadalë edhe guximin për të folur publikisht për atë që kam përjetuar.” – thotë Tahiri-Sylejmani.

Ajo për fund thotë se nuk do të ndalet duke kërkuar drejtësi për atë që ka përjetuar pa fajn e saj.

“Për hir të së vërtetës, të drejtës  dhe për hir të dashurisë për veten time dhe për të gjitha ato gra, vajza të cilët kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës, unë nuk dua dhe nuk do të heshtë dhe në vend të turpit për atë që më kanë ndodhur pa zgjedhjen time, unë sot ndjëhem krenare për zgjedhjen që bëj për të marrë në dorë rrëfimin tim. Për ta shkruar me krenari kapitullin e radhës dhe për t’iu ndihmuar  të tjerëve të çlirohen nga faji dhe turpi . Është privilegj të jem një prej të mbijetuarve të përfshira në këtë libër rrëfimesh të dhimbjes  dhe shpresës, përveç kësaj  është dhe përgjegjësi e madhe meqë si e mbijetuar e Kosovës e përshirë në këtë libër me audiencë globale përmes rrëfimit tim, bota kupton më mirë tmerrin e përjetuar nga mijëra të tjerë të mbijetuar të luftës në Kosovë.”- shton ajo.

E krejt në fund, fjalën e mori edhe autorja e këtij libri, Wiola Rebeka e cila rrëfen se nga i erdhi  ideja e krijimit të këtij libri.

“Të gjithë më pyesin se si filloi gjithë historia e këtij libri. Kështu, unë do të doja të ndaj me ju një ngjarje nga familja ime sepse kjo ngjarje nuk është një ngjarje të cilën e kam trajtuar në klinikë por një ngjarje nga familja ime.  Shtëpia e gjyshes time ka qenë e thatë, asgjë nga e kaluara, as foto të familjes, as kujtime, as ndjenja- krejt e pa shpirt. Gjyshja gatuante ushqime shumë të shijshme, ajo gatuante rrallë por ushqimi i saj ka qenë kualitativ më shumë sesa sasior, Shtëpia e saj gjithmonë ësh-të dukur e qetë dhe e vogël edhe pse fizikisht ishte e madhe. Gjyshja asnjëherë nuk i ka shfaqur emocionet e saj, ajo asnjëherë nuk e ka mbushur shtëpinë e saj me dashuri të rastësishme  edhe pse unë asnjëherë nuk e mbaj mend kur ajo të ketë qenë e nervozuar, të ketë bërtitur apo të ketë humbur temperamentin, ajo ishtë shumë e qetë, edhe kur ajo fliste, bënte shaka apo kur shprehte ndonjë zhgënjim, zëri i saj ishte i qetë. Për një kohë të gjatë ajo përdorte ilaçe kundër ankthit, madje ajo merrte edhe dëmshpërblime nga shteti gjerman. Më vonë e kuptova se gjyshja ishte përdhunuar nga ushtarët rusë, kjo është e vetmja gjë e qartë të cilën ajo e ndau me mua.” – flet autorja Rebeka duke folur pë zanafillën e këtij libri.

Këtë vit, në 22 vjetorin e themelimit, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës – QKRMT, nderon Prokuroren, Znj. Drita Hajdari me “Çmimin për Guxim – Vasfije” (Vasfije Courage Award), për përkushtimin e saj në kërkim të drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë./KultPlus.com

Të ngjajshme