25 Nëntor, 2024 - 11:13 pm
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sonte në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare “Sot dhe Çdo Ditë Tjetër”, duke mbështetur fushatën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Sipas njoftimit nga Posta, promovimi i këtij emisioni u organizua në ambientet e Qeverisë së Kosovës, ku morën pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, së bashku me komisionin e pullave postare. Gjatë fjalimeve të tyre, ato theksuan mbështetjen e fuqishme për këtë fushatë dhe falënderuan Postën e Kosovës.
“Sot, si Postë e Kosovës, kemi nxjerrë në qarkullim pullën postare ‘Sot dhe Çdo Ditë Tjetër’,Kjo pullë mbart një mesazh të fuqishëm kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave – një çështje që duhet të jetë prioritet për të gjithë, jo vetëm gjatë këtyre 16 ditëve të aktivizmit, por gjatë gjithë vitit. Si institucion, ne nuk jemi thjesht një shërbim postar; jemi një urē që bashkon njerëzit, idetë dhe mesazhet. Përdorimi i kësaj pulle në dërgesat postare do të përhapë mesazhin për një shoqëri që mbështet, fuqizon dhe mbron çdo grua dhe vajzë”, ka thënë kryeshefja Ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci.
Ky emision i pullave postare është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe përkrah fushatën “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila, për vitin e tretë, organizohet nga ministria.
“Përmes kësaj fushate, synohet të ndërgjegjësohet publiku mbi rëndësinë e barazisë gjinore dhe të promovohen një kulturë respekti dhe mbështetjeje për gratë dhe vajzat”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Në kuadër të këtij emisioni, vihet në qarkullim një pullë postare që mbart logon dhe formën e fushatës, si dhe “Zarfin e Ditës së Parë”. Ndërkaq, kjo pullë do të mbetet në qarkullim deri në konsum të plotë të saj.