3 Mars, 2025 - 9:52 am
Më 3 mars 1921, Mit’hat Frashëri denoncoi pranë Konferencës së Paqes në Paris keqtrajtimin e shqiptarëve në Greqi dhe në Serbi, përmes një letre që ia dërgoi Konferencës së Paqes në Paris.
Në cilësinë e presidentit të delegacionit shqiptar, Frashëri shprehte gatishmërinë e qeverisë për të përmbushur detyrimet që rridhnin prej pranimit në Lidhjen e Kombeve. Nga ana tjetër, përcillte keqardhjen për situatën kritike të shqiptarëve në territoret e Greqisë dhe të Serbisë, ku nuk respektoheshin të drejtat e këtij minoriteti.
“Në përputhje me popullsinë në territorin e aneksuar, shqiptarët duhet të kenë 4 përfaqësues në parlamentin grek. Megjithatë, këta deputetë nuk janë caktuar ende, gjë që bie në kundërshtim me ligjet kushtetuese. Minoriteti i shqiptarëve në Greqi është gjithashtu i privuar nga çfarëdo përfaqësimi”, shpjegonte Mit’hat Frashëri.
Më tej në letër, patrioti informonte Lidhjen e Kombeve se shqiptarët në Serbi ishin subjekt keqtrajtimesh, që shpesh përshkallëzonin deri në fatalitete.
“Padrejtësi të ngjashme ushtrohen edhe nga qeveria serbe, e cila i mohon minoritetit shqiptar privilegjin e njohur të mësimit të gjuhës së tyre amtare, pavarësisht parashikimeve të Traktatit të Saint Germain-it, përmes të cilit mori përgjegjësinë për të respektuar të drejtat e minoriteteve”, përmbyllte letrën Frashëri.
Traktatit të Saint Germain-it ishte një nga pesë traktatet që dolën nga Konferenca e Paqes së Parisit (1919) pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore./atsh/KultPlus.com