19 Shkurt, 2021 - 3:00 pm
Me 16 Shkurt të këtij viti, mijëra qytetarë u mblodhën para selisë gjyqësore të Argjentinës në Buenos Aires duke protestuar ndaj masave të qeverisë së Presidentit Alberto Fernandez kundër dhunës seksiste dhe femicidit. Përmes parullave ‘Dua të jetoj pa frikë’ dhe ‘Kam heshtur derisa pashë veten të vdekur’ aktivistët për barazi gjinore kërkuan drejtësi për 19 vjeçaren Ursula Bahillo e cila u vra brutalisht nga ish i dashuri.
Ursula Bahillo kishte denoncuar plot 18 herë dhunën ndaj ish-partnerit të saj Matia Ezequiel Martinez i cili ishte polic. Asnjë nga këto denoncime nuk u morën parasysh nga autoritetet argjentinase. Nëna dhe shoqëria e Ursula Bahillo dëshmojnë se ajo kishte shprehur shqetësimin e saj se i dashuri e kishte kërcënuar se do ta vriste.
Sipas raportimeve, thuhet që Martinez mori vesh për denoncimet e fundit vetëm disa orë para se viktima të gjendej e vdekur, dhe kishte urdhër mbrojtës që e ndalonte ti afrohej Ursula Bahillo. Viktima u gjet e vdekur në një zonë rurale afër Rojas. Raportimet tregojnë se ajo ka pësuar të paktën 30 therje me thikë dhe dëmtime të rënda në qafë, shpinë dhe gjoks.
“Nuk dua të ndjehem e guximshme kur dal, dua të ndjehem e lirë”, “Po vritemi”, “Sa gra do të vdesin nesër?”, ishin disa nga parullat që u përdorën gjatë protestës. Protesta vazhdoi me një aksion simbolik ku gratë qëndruan të zhveshura dhe të mbuluara me qese plastike, duke përfaqësuar kështu viktimat e femicidit me një parullë që shënonte “Nga 1 janari deri më 30 dhjetor 2020, 298 gra u vranë nga burrat’.
Sipas organizatës MundoSur në shtatë muajt e parë të vitit 2020 janë raportuar 160 raste të femicidit, 97 prej tyre kanë ndodhur gjatë periudhës së karantinës. Ndërsa organizata Casa del Encuentro raporton se gjatë 12 viteve të fundit ka pasur 3251 vdekje të grave në Argjentinë.
Të dhënat e përgjithshme tregojnë se në Argjentinë 59% e grave sulmohen nga partnerët e tyre, ku 60% e këtyre rasteve ndodhin brenda shtëpisë. Poashtu në 10 vitet e fundit raportohet se ka një femicid çdo 30 orë në Argjentinë. / qika.org / KultPlus.com