Protestuesit para Ministrisë së Drejtësisë: Boll më nuk durojmë

31 Gusht, 2022 - 12:55 pm

Ka nisur protesta në Prishtinë e cila vjen pas dhunimit të një të miture 11 vjeçare. Fytyra publikë e njerëz të shoqërisë civile i janë bashkuar protestës për të ngritur zërin pas përdhunimit të shumëfishtë ndaj të miturës që raportohet të jetë bërë për shtatë orë.

Kjo protestë është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me kërkesat mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë. Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden.

 “Kërkojmë mbrojtje për vajzat dhe gratë” është thirrja që po bëhet gjatë kësaj proteste ku po kërkohet që të bëhen dënime meritore për të gjithë përdhunuesit e vajzave dhe grave.

“Pedofilët në burg”, “Boll më nuk durojmë”, “Poshtë patriarkati”, “Poshtë përdhunuesit”, “Përdhunuesit në burg”, janë disa nga thirrjet e kësaj proteste.

Pankarta të shumta janë ngritur lartë: “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Çika e gra jemi bashkë krahë për krahë”, “Nuk ka dështuar nëna ka dështuar shteti”.

Protestuesit kanë shkuar edhe në ndërtesën e Ministrisë së Drejtësisë ku kanë gjuajtur me ngjyrë të kuqe. / KultPlus.com

Të ngjajshme