23 Korrik, 2019 - 8:04 pm
Nga Agron Gjekmarkaj
Me të drejtë, si pikëllim a vrasje e ndërgjegjes qytetare, aty ku ka mbetur ndonjë spikamë e saj, ngrihet pyetja: pse Gjergj Fishtës nuk i bëhet shtëpia muze nga shteti shqiptar?! Nuk reshtin krahasimet, akuzat, pandehmat e shumëçka që shpreh zemërim e çmeritje. Pikërisht vetë atë, burrin që i priu çetës së Shqipëribërësve, pa të cilin letërsia kombëtare na duket pa gur themeli, e patëm lënë edhe pa varr.
E la sistemi, e la komunizmi, e la Enver Hoxha, themi të gjithë njëzëri, të pazotë që të turpërohemi një herë të vetme si shoqëri e si individë që bëmë më makabret e krimeve, më të fëlliqtat e kompromiseve. Ashtu kokulur, fajtorë e servilë, duke refuzuar kauzat e drejta për pragmatizma të çastit as në gati 30 vjet pluralizëm, se demokraci nuk qe e nuk është ( tani së fundi as pluralizëm), kruhemi, kemi zekth,marrje frymë, ndonjë puçërr e temperaturë, sa herë ndonjë histori njerëzore, letrare, politike e patriotike si ajo e Gjergj Fishtës na fton të kemi një kut etik, moral e shqiptar tek e fundit. E kanë gabim të gjithë ata që e mendojnë të pafat Gjergj Fishtën. E kundërta është e vërtetë. U kemi nxjerrë kockat pas vdekjes nga varret dhe jo rastësisht Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Pjetër Bogdanit dhe Gjergj Fishtës.
Se atë e paskëshin bë turqit, bie si metaforë historike nga rasti i tretë. Kjo ka ndodhur se ballafaqimi me ta ka qenë i lodhshëm, i vështirë, mundues e therës për ne pasardhësit e tyre që nuk lamë thyerje pa provuar, shpinë pa përkulur, ngërdheshje pa bërë më pushtues dhe sundues. Tani varre madhështore e lapidarë nëpër Shqipëri kanë edhe maskarenj e kriminelë, hajdutë e vrasës, tutkunë e batakçinj pa fund. Madje, ata kanë edhe vila, edhe shtëpi, që, me gjasë, dora-dorës do bëhen edhe muzeume. Ndaj, ç’kuptim ka të ketë Fishta varr, të ketë Fishta shtëpi muze?! Jo more s’ka çfarë i duhet!!! Po të lexosh tekstet e tij, të ngjan sikur ai e ka parashikuar këtë!
Ndonjë si Demalia çmeritet pse shkojnë paratë për shtëpinë e Enver Hoxhës. Aspak nuk do duhej! Aty të shkojnë paratë, ajo duhet të bëhet muze prapë, se me gjasë, Enver Hoxha veç ditëlindje do të ketë gjithmonë 1908. Ai jeton si kulturë politike, si mendësi e mentalitet. Përderisa këtu çdokush mendon të sundojë, të grabisë e zhvatë, të rrejë, të kapë ndonjë tender, të shesë votën, t’i bindet frikës dhe jo arsyes, gjëja me logjike duket rikthimi dalëngadalë tek Enveri dhe madje, përjashtimi së dyti i Fishtës nga tekstet.
I vetmi që pati një ide konkrete e ajo që do duhej të konsiderohej si me normalja, gjë që na vjen ta gjykojmë si paradoks për ta bërë atë shtëpi muze, qe Bujar Leskaj kur ishte ministër Kulture (jam dëshmitar në vetë të parë), po koha s’i dha kohë. Së paku i bëri një monument në Lezhë. Pastaj, ministrat që kaluan asaj nahije, gegë e toskë, kult kishin partizanin Meke dhe socrealizmin. Nja dy prej tyre ishin idiotë të kulluar. Shakatë që bënte doktori më përfaqësimin!
Ministreshat e Ramës, preokupim kanë si të krehin flokët e si t’i buzëqeshin shefit, si të ndërtojnë në Butrint, si të shembin Teatrin kombëtar, po Fishta atyre iu duket pesë me hiç. Kryeministri e citon nganjëherë Fishtën e Konicën!! Citon ata që luftuan kundër despotizmit dhe vetë bëhet despot, teksa shtëpinë ia ndreq tiranit. Simpatia për këtë të fundit tanimë duket e justifikuar dhe natyrale. Të paktën t’i lërë në paqe dy të ngratët, që as ai e as ne nuk i meritojmë e as ata me siguri nuk duan gjë prej këtij, po as prej nesh. Ndonjë brezi i duhet ndaluar me ligj që t’ua zënë emrin më gojë.
Fishta është Fishta, ndërsa rriqnat e ndyta rriqna të ndyta, me varr, pa varr, me shtëpi muze, pa shtëpi, i ka mundur të gjithë. Lavdia e tij s’ka nevojë për asgjë, e jona ka nevojë për të. Ndërsa lavdia e Enver Hoxhës ka nevojë për Edi Ramën dhe Rama ka nevojë për modelin historik! Mendoni Ramën me vilë në Surrel dhe shtëpinë e Fishtës në Zadrimë, vilat dhe shtëpitë e politikanëve të tjerë në Gji të Lalzit, në Vlorë, Sarandë e gjetkë, për të kuptuar më mirë se Shqipërisë nuk i duhet asnjë lek shtëpia e Fishtës, ndoshta as Fishta vetë, as Skënderbeu i vjetër, as Bogdani! Kemi mitet e reja!!!
1) Pas rehatisë, paqes, sojllëkut e pajtimit me robërinë të tre na kujtonin lirinë qe nuk kishim guxim ta dëshironim e të luftonim për të!
2) Nuk do të dukej më një krusem, as ndonjë lajm që ja beh nga botë e panjohur nëse se shpejti, për hierarkët e sigurimit, apostujt e krimit, shkrimtarucët dhe studiuesit e hiçit, anëtarët e tjerë te byrosë të shfaqeshin aty këtu muzeume për t’i treguar kësaj shoqërie sa e mirë dhe e mbarë, si rrinte në shtrunge me këta. Si është sot e si do meremetohet nesër.
3) Shumica e politikanëve të Tiranes dhe të provincave marrëdhënien me vendin e kanë nëpërmjet plëncit, çapres, barkut dhe sa më shumë ai fryhet krijohet mundësia që kërthiza e tyre si çufërr të prekë realitetin dhe historinë.
4) Politikanët një pjesë e mirë dje dhe sot e kanë pas të vështirë, pothuaj të pamundur mardhe jen me njerëzit e letrave dhe shkrimtarët! I kanë konsideruar idealistë, fluturakë, trazovaçë, kundërshtarë, ndërsa të dytët i kanë konsideruar nga pavarësia e këtej thjeshtë tiranë, hajdutq, dylme e faqezinj! Po të besh bilancin shkrimtarët, ata te vërtetët, patën gjithmonë të drejtë.