Pse policët serb i kishin mëngët e këmishave të gjata?

9 Korrik, 2024 - 7:33 pm

Arben Kastrati

Prishtina është vendbanimi më i shëmtuar që njeriu ka ngritur ndonjëherë, që nga fillet e ekzistencës së tij. Vetëm qytet nuk mund të quhet, e është kryeqytet. Prishtina është më e shëmtuar se vet fjala shëmti. Nuk ekziston mënyrë për t’a përshkruar shëmtinë e qytetit. Kërkohet dhunti dhe imagjinatë pjellore, për t’a përshkruar, e një afinitet i tillë përshkrimi letrar, nuk ekziston. Gjendjen e qyteteve tjera, as nuk e marr tundimin t’a shpjegoj.

Që kjo shëmti të degradoj dhe më shumë, u përkujdesën tanët, saktësisht, interesat e njerëzve të varfër. Ne paskemi qenë një tërësi e varfër, një tërësi e varfër shumë. Në lirinë tonë, e shpërfytyruan qytetin deri në atë masë, sa që tërësisht ia humbën identitetin; Prishtina nuk njihet më.

****

Brenda kësaj shëmtie, brenda këtij shpërfytyrimi rronë dhe njerëz të lumtur. Karakteristikë e njerëzve të lumtur që rronë në qytet, është mbidoza e naivitetit me të cilën karakterizohen.

Nuk ka arritje më të madhe për varfanjakët (e së shkuarës) se të rrojturit në qytet, aty ku primitivizmi është instaluar dhe është bërë normë jetese. Aty ku sot, sundon anarkia, kjo kënaqësi varfanjakësh.

Varfanjakët e dikurshëm, që erdhën në qytet me filozofi zvarranikësh, tani janë sundimtarë të pasur. Qyteti është mbushur me njerëz të mjerë, me njerëz të lumtur (mjerimi dhe mungesa elementare e dijes i bënë të lumtur). Varfanjakët e dikurshëm e kanë zaptuar qytetin dhe sundojnë pa mëshirë. Jemi dëshmitarë të primititivizmit kulmor, pislliqeve, dhunës, amoralitetit, egërsisë dhe pashpjegueshmërisë për t’u udhëqehur nga marria. Jemi dëshmitar të anomalive nga më të pabesueshmet.

Në këtë qytet, qytet i thënçin, vetëm qytetari nuk ka.

****

Sunduesit e tashëm, varfanjakët e dikurshëm, etrit e pasur të fëmijëve të çmendur të së sotmes, sapo i takonin policët serb që patrullonin në rrugë, ju afroheshin, i tërhiqnin për mëngësh dhe me një servilizëm të paparë ju luteshin: “Sedi pij nesto” (Ulu pi diçka). Dhe nuk dorëzoheshin deri sa policët serb të uleshin dhe të konsumonin gjithë ç’dëshironin. Nga insistimi i vazhdueshëm që varfanjakët i bënin policëve serb, duke i tërhequr, ua zgjasnin mëngët e këmishave.

Varfanjakët vetëm dinjitet nuk kishin. Mungesë dinjiteti kanë edhe sot. Siç kanë mungesë ndërgjegjjeje. Janë në gjendje të shkatërrojnë çdo gjë për interesa individuale.

Duke e ditur që vetëdijësimi është diçka e huaj për këtë soj sundimtarësh dhe s’ka për t’u bërë pjesë integrale e tyre, asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, degradimi do të vazhdoj dhe më tej. Deri ditën kur vet varfanjakët, do të largohen nga ky vend, të pasur. Se nuk do të mund të rronë në një vend të shkretë si ky.

Deri atëherë, do të duhet të tolerojmë dhe bashkëjetojmë me varfanjakët e dikurshëm, fëmijët e tyre dhe mungesën e zbatimit të ligjeve për atë kategori.

Trimat e së shkuarës, ata që “strehoheshin” nga dy policë serb (se frikë nuk kishin, tamam puna, se shqiptar dhe frikacak nuk ka), që mbanin rregull në një qytet të tërë, e kanë bartur trimërinë e tyre tek brezat pasardhës. Fëmijët e këtyre jargësve, janë sundimtarët e rinj të qytetit. Ata sundojnë me egërsi të paparë dhe janë mjerimi i ri.

Ashtu si dikur, banorët e sotëm vetëm brenda mureve të ndërtesave, përjetojnë një lloj lirie të shëmtuar. Brenda atyre mureve, banorët e qytetit, vazhdojnë të rronë të poshtëruar.

Mungesa e zbatimit të ligjeve, e ka bërë jetën në qytet, të pamundur. Mungesa e zbatimit të ligjeve, e ka bërë jetën në qytet, parajsë për këtë brez të mjerë.

Ikja është domosdo, për të shuar dhimbjet./ KultPlus.com

Të ngjajshme