Pse shkrimtarët duhet t’i lexojnë kritikat negative

13 Prill, 2023 - 8:00 pm

Pasi shkrimtarja Angie Thomas kërkoi që të mos shënjohet në kritikat negative të librave të saj, në mediat sociale vërshuan fyerjet, shkruan Alison Flood.

Historia ende nuk e ka librin që adhurohet në mënyrë të përgjithshme, ose autorin që kënaqet duke lexuar kritikat e këqija. Teksa Angie Thomas ishte në krye të listave dhe bartte mbi supe çmimet për librat “The Hate U Give” dhe “On the Come Up”, kërkesa e saj e fundit – që blogerët të mos i dërgojnë më përshtypjet e tyre negative – e ballafaqoi me një valë tjetër të kritikave. Thomas nuk u kërkoi atyre të ndalonin së shkruari komente të këqija. Ajo thjesht kërkonte që ata të mos e shënjojnë (të mos ia bëjnë “tag”) në Twitter ose në Instagram.

“E dini çka? Jemi njerëz me ndjenja. Çfarë kuptimi ka që t’ia bësh ‘tag’ autorit në një vlerësim negativ?”, shkroi ajo në Twitter. “Duhet ta mbrojmë hapësirën tonë mentale. Shumë vlerësime, të mira ose të këqija, mund të ndikojnë në këtë… Të marrësh vlerësime nga shumë burime mund të dëmtojë procesin e të shkruarit. Kam një grup njerëzish reagimet e të cilëve i vlerësoj – redaktorin tim, agjentit tim, autorë të tjerë që veprojnë si lexues të dorëshkrimit. Në pozicionin në të cilin jam, mediat sociale janë për bashkëveprim me lexuesit, jo për kritika”.

Thomas më pas i është nënshtruar fyerjeve në internet, nga lexuesit dhe nga kritikët. Një lexues njoftoi se do t’i hedhin librat e saj. Të tjerët thanë se reagimi e saj po i shtynë të mos e lexojnë më (“Kur njerëzit janë të pasjellshëm dhe negativë në këtë mënyrë, kjo më bën të mos i mbështes”). Disa mendonin se “tema” e shkrimit – librat e Thomasit zhyten brenda dhe jashtë botës afrikano-amerikane – e bën atë të duket “shumë e padijshme”.

Autorët kanë thënë me vite se nuk preferojnë të shënjohen në kritikat e këqija të mediave sociale. Në nëntor të vitit të kaluar, Lauren Groff shkroi se “të bësh ‘tweet’ tek shkrimtari është sikur t’i bërtasësh në fytyrë”. Kjo ndodhi madje përpara epokës së mediave sociale, si p.sh. ajo që Alain de Botton tha për kritikën e Kaleb Crainit për veprën “The Pleasures and Sorrows of Work” (“Do të të urrej deri në ditën që do vdes dhe nuk të uroj asgjë pos vullnet të keq në çdo hap të karrierës që bën) apo Martin Amisi për kritikën e Tibor Fischerit për veprën “Yellow Dog” (“Një bajat dhe qerrata”).

Por, goditja kundër Thomasit është e shpërpjesëtuar kur krahasohet me mënyrën sesi komentuesit kanë reaguar ndaj këtyre kërkesave në të kaluarën. Siç ka thënë vet ajo: “Shumë autorë të bardhë kanë thënë të njëjtën gjë për këto komente, pa i marrë të njëjtat sulme që i hodhën tek unë”.

Mënyra sesi komuniteti i lexuesve mund të përfshihet në të keqen, është dokumentuar qëmoti me kërcënime, fyerje dhe ftesa për bojkot. Thomas megjithatë nuk po tërhiqet e as nuk duhet. “Shkrova një libër për të mos qenë e qetë. Ndaj, të jeni të sigurte se nuk do të jem e qetë. Ngacmimi, fyerjet, sulmet, gjuha e koduar, të gjitha këto nuk i kam problem për t’i ballafaquar. Komunitet i librit, jeni toksikë dhe problematikë”, ka thënë ajo. /KultPlus.co.

Të ngjajshme