9 Shtator, 2020 - 8:08 pm
“Mbramë, në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Në rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi si e pa se neve e gjetëm bodrumin ku ishte mëshefur dhe s’kishte shpëtim, vrau vehten. Këtu popullarizohet se e vramë neve (në dokument nënvizohet me shkrim dore “Mirë”, që nënkupton se e miratojnë). Kemi gjetur disa dokumenta, por ma të randësishmet do t’ua dërgojmë. Zoi Themeli”.
Dokumenti i mësipërm tregon qëndrimin zyrtar që mbajti regjimi komunist për vdekjen e Jup Kazazit, ndër organizatorët e kryengritjes së Postribës, e para antikomuniste në Europën e Lindjes, që po niste instalimin e perdes së hekurt.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi dosjen e Jup Kazazit, ndër organizatorët e kryengritjes së Postribës.
Më 9 shtator 1946, duke synuar që me “Postribën” të lironin të burgosurit e të merrnin institucionet, shpërtheu para kohe ajo që sot njihet si Kryengritja e Postribës, me disa qindra kundërshtarë të regjimit, mes të cilëve, vëllezërit Kazazi. Duke qenë më të paktë në numër dhe me armë, kryengritësit dështuan, ndërsa pushteti u bë më i egër duke arrestuar mbi 1200 veta, hapur 11 burgje të përkohshme e vrarë dhjetëra të tjerë. Jupi shpëtoi, por u detyrua të fshihej dhe u strehua te daja i tij.
Me 17 shtator, shtëpia ku fshihej u zbulua, pasi u torturua një dëshmitar që kishte dijeni. Duke mos dashur të binte i gjallë në duart e komunistëve, ai thirri “Rrnoftë Shqipëria. Nuk i dorzohem klyshëve tˋStalinit” dhe vrau veten. Ekzekutorët futën në shtëpi të kontrollonin të vdekurin, nipin 16-vjeçar, Ahmet Kopliku.
I biri i Jupit, Hamza Kazazi thotë se të atin e masakruan edhe për së vdekuri, kënduan e hodhën valle dhe e ekspozuan në qytet.
Pas ngjarjes, 7 anëtarë dhe të afërm të familjes Kazazi u ekzekutuan, vranë veten ose vdiqën, ndërsa dhjetëra të tjerë u internuan. Trupat e të vrarëve nuk iu kthyen kurrë familjeve.
74 vite më pas, ende nuk ndihen varret e:
Halit Kazazi(vëllai i madh)- lindur me 3 mars 1900, i dënuar më 1945 dhe ekzekutuar më 1945 në Shkodër.
Jup Kazazi(vëllai i dytë)- lindur më 6 tetor 1905, vret veten e nuk dorëzohet, më 17 shtator 1946.
Sait(Seit) Kazazi (vëllai i tretë), lindur më 9 prill 1913. Rrethohet në shtëpinë e Hafiz Adem Kazazit. Nuk dorëzohet e vret veten më 6 tetor 1946.
Abdullah Kazazi(xhaxha i Jupit), arrestohet për kryengritjen e Postribës, pushkatohet diku në Shkodër pas 1946-s, në moshën 64- vjeçare.
Rifat Kopliku, daja i Jup Kazazit. Pas arrestimit më 17 shtator 1946 sepse strehoi nipin, u ekzekutua më 24 shkurt 1947.
Osman Kazazi, kushëri i parë i Jup Kazazit, arrestohet me 17 shtator 1946, dënohet me pushkatim dhe thuhet se vdiq në hetuesi, në moshën 24-vjeçare.
Asim Abdurrahmani (Shpuza), djali i tezes së gruas së Jup Kazazit. Inxhinier, kimist, dënohet me pushkatim si spiun. Arrestuar e pushkatuar në Tiranë, më 8 qershor 1947.
“I biri i Jupit, Hamza Kazazi, pas 1990-s ka nisur kërkimet për eshtrat e të afërmve. Ka gërmuar në Kir, sipas dëshmive të një 13-vjeçari që kishte shkuar të lahej në lumë, kur ka parë të varroset një burrë me pizhame (si në fotot e trupit të pajetë të Jupit), në vendin ku më vonë u vu Drejtoria e Ujërave, pas varrezave të Rrmajit. Hamza Kazazi, pas shumë gërmimesh, nuk arriti dot të identifikonte të atin, por gjeti eshtra të mbështjella në një veladon, me dorë në zemër e me një kryq, që mendohet se qenë eshtrat e një prifti dhe ia dorëzoi ipeshkvit, imzot Zef Simonit në Shkodër. Ndërsa kërkon 7 të zhdukurit e tij prej 30 vitesh, ka arritur të kuptojë se “procesverbalet baheshin të rrejshme”. Në qershor 2017, Jup Kazazit, qyteti i Shkodrës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) dhe Presidenti i Republikës, Nishani, i ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes).
Dosja në fjalë mund të vihet në dispozicion të të interesuarve, pranë AIDSSH”, shprehet Autoriteti i Dosjeve.