Publikohet lista e përfituesve nga thirrja për projekt-propozimet kulturore në Art dhe Trashëgimi Kulturore

4 Gusht, 2022 - 11:17 am

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit , ka publikuar listën paraprake të përfituesve nga thirrja për projekt-propozimet kulturore 2022 në Art dhe Trashëgimi Kulturore:

https://bit.ly/3BO4O4W

Nga kjo ministri kanë njoftuar se aplikuesit kanë të drejtën e përdorimit të mjeteve juridike.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është përgjegjëse në raport me përgjegjësitë e saj ligjore që rrjedhin nga parimet e parashikuara në Ligjin Nr.05/L – 031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, veçanërisht obligimin e saj si autoritet publik që palëve t’u mundësojë qasje të lehtë për të mbështetur një aplikim me dokumentacionin mbështetës sikurse e kërkon struktura e kritereve në thirrjen publike”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, nga vlerësimet e brendshme të të gjithë procesit, është konstatuar se digjitalizimi i procedurës së aplikimit në këtë thirrje publike, është përcjellë me vështirësi objektive me potencial të zhvlerësimit procedural të aplikimeve jashtë përgjegjësisë së palëve.

“Rrjedhimisht, MKRS, duke i zbatuar detyrimet e saj ligjore për qasje transparente dhe të papenguar në procedura administrative, përkatësisht, obligimin që pala të mos pësojë nga pengesat teknike dhe teknologjike gjatë ofrimit të dokumentacionit që e posedon pala dhe të kërkuar me thirrjen publike, do të sigurojë që në procedurën e mjeteve juridike (ankesat e palëve) të shqyrtojë dhe vendosë mbi rastet potenciale që refuzimi i tyre ka ardhur si rezultat i këtyre rrethanave.”

Në mënyrë që ankesa të përmbushë kushtet procedurale për shqyrtim të mëtejmë të tyre, gjegjësisht, ankesave mbi refuzimet e aplikimeve për mungesa të dokumentacionit të kërkuar, nga MKRS është njoftuar se pala duhet të përmbushë kumulativisht kushtet si në vijim:

1. Të parashtrojë ankesë në afatin e përcaktuar sipas rregulloreve në fuqi,

2. Të nënvizojë pretendimet ankimore se posedon (nëse po) dokumentacionin përkatës lidhur me kriteret e thirrjes,

3. Të ofrojë të gjithë dokumentacionin faktik sikurse është kërkuar në thirrje,

4. Të argumentojë në ankesë se gjatë aplikimit online, ngarkimi i dokumentacionit është penguar nga faktorë teknik/teknologjik.

“MKRS mbetet e përkushtuar për të vijuar punën në sigurimin e transparencës së plotë gjatë shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve në aktivitetet dhe iniciativat kulturore e artistike, përmes investimeve të vazhdueshme në përmirësimin e infrastrukturës teknologjike që mundëson aplikim, shqyrtim dhe vendosje meritore në njërën anë e po ashtu mundësi të papenguar për palët që aplikimet e tyre t’i mbështesin me dokumentacionin relevant që kërkohet me thirrjet publike, nëse të njëjtat i posedojnë.

Në këtë drejtim, do të bashkëpunojmë ngushtë me komunitetin për të adresuar të gjitha komentet dhe vërejtjet e tyre në thirrjet e radhës që do të shpallen në ditët në vijim.

Ankesat dhe materialet mbështetëse te ankesës, dorëzohen edhe ne e –mailin zyrtar: [email protected], deri më datën 10.08.2022.” / KultPlus.com

Të ngjajshme