Publikohet Protokolli që ka fokus dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale sipas të drejtës ndërkombëtare

23 Shtator, 2020 - 12:54 pm

Rreth 20.000 gra dhe burra mbesin të dhunuar nga lufta e fundit e Kosovës. Për verifikimin dhe njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale përgjatë kësaj lufte, ata duhet t’iu nënshtrohen disa procedurave. Pikërisht për t’i lehtësuar këto procedura, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me organizata të këtij profili dhe institucione shtetërore ka bërë përpilimin e Protokollit për identifikimin, hetimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, shkruan KultPlus.

Protokolli i cili u realizua përmes punës së QKRMT’së, grupeve punuese nga Sektori për krime të luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, Prokuroria e shtetit, Qendra për Promovimin e të drejtave të grave, Medika Kosova dhe Medika Gjakova, u prezantua sot nën prezencën e drejtuesve të organizatave, familjarëve të të mbijetuarve dhe mediave.

Paneli i diskutimit përbëhej nga Feride Rushiti, drejtoreshë në QKRMT, Drita Hajdani, Prokurore Speciale në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe Fadil Gashi, drejtor në Drejtorinë për hetimin e krimeve të rënda. Përgjatë diskutimit u shpalos qëllimi i përpilimit të këtij protokolli, përdorimi dhe rëndësia e tij. Në të njëjtën kohë u bë ndarja e përvojave të ndryshme në mes të organizatave dhe institucioneve.

Qëllimi kryesor i Protokollit është të shërbejë si një dokument udhërrëfyes për institucionet që merren me hetimin dhe gjykimin e çështjeve dhe udhërrëfyes për palët në procedurë, në mënyrë që palët të njoftohen më për së afërmi me kompetencat e organeve të caktuara, të përfshira në këtë protokoll.

Folësja e parë, Feride Rushiti tregoj se ky protokoll është burim i atij ndërkombëtar për dokumentimin e hetimit të dhunës seksuale në konflikt, i cili është publikuar në vitin 2014, i udhëhequr nga Ministria e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe dhe ambasadorja e vullnetit të mirë të OKB-së për refugjatë, Angelina Jolie, ndërsa ka qenë prezent edhe QKRMT.

“Ky protokoll ka për qëllim pikë së pari t’i koordinoj të gjithë hallkat institucionale dhe mekanizmat jo institucional, pra organizatat jo qeveritare dhe agjencitë e tjera të pavarura në mënyrë që t’iu lehtësojnë të mbijetuarve të dhunës seksuale të kenë qasje në drejtësi, dokumentim, hulumtim, rehabilitim dhe integrim në shoqëri”, u shpreh drejtoresha e QKRMT, Rushiti.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari teksa foli për rëndësinë e procedurave, tregoj kërkesën e saj që me rastet e të mbijetuarve të dhunës seksuale të merren policet dhe prokuroret, specifikisht gratë në këto institucione.

“Kam marrë një përgjegjësi shumë të madhe, mirëpo me një dëshirë dhe vullnet që këto krime të zbardhen dhe kryesit e këtyre veprave të vendosen para drejtësisë”, u shpreh prokurorja Hajdari.

Drejtori i drejtorisë për hetimin e krimeve të rënda në kuadër të Policisë, Fadil Gashi u shpreh se këtë kategori të luftës duhet ta mbrojmë si shoqëri dhe mos ta stigmatizojmë, teksa në fund shprehu rëndësinë e këtij protokolli: “Ky protokoll i cili u formua të ketë si fokus kombinimin ndër institucional dhe të organizatave të tjera, që qasja, identifikimi, dokumentimi i këtyre rasteve të jetë i njëjtë dhe të mos ketë të panjohura në mes nesh”.

Fokusi i Protokollit është në dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale sipas të drejtës ndërkombëtare. Protokolli gjithashtu do të shërbejë si një strategji praktike që profesionistët mund t’i përdorin për të zvogëluar dhe adresuar rreziqet e mundshme që lidhen me dokumentimin dhe hetimin e dhunës seksuale në luftë, si dhe për të tejkaluar disa nga pengesat që paraqiten në përpjekjet e llogaridhënies për përmirësimin dhe të kuptuarit se si të mblidhen dhe të dokumentohen informatat për dhunën seksuale, gjithmonë duke pasur parasysh parimin e mos bërjes dëm.

Prandaj, ky dokument do të përdoret për të trajtuar, mbështetur dhe përfaqësuar të drejtat e të mbijetuarve dhe të dëshmitarëve të dhunës seksuale në luftë.

Në fund të këtij organizimi, fjala iu dha edhe të pranishmëve të tjerë për të diskutuar rreth problemeve të kësaj kategorie të dalë nga lufta. / Medina Pasoma / KultPlus.com

Të ngjajshme