26 Qershor, 2021 - 9:59 am
Një raport i qeverisë amerikane për UFO-t, i publikuar të premten, tha se analistëve të mbrojtjes dhe të inteligjencës iu mungojnë të dhënat e mjaftueshme për ta përcaktuar natyrën e objekteve misterioze fluturuese që janë parë nga pilotët ushtarakë amerikanë dhe për të treguar nëse ato janë teknologji të avancuara nga Toka, nëse kanë prejardhje atmosferike apo jashtëtokësore.
Raporti me nëntë faqe, i bërë publik për Kongresin dhe publikun, përfshin 144 vëzhgime, shumica nga personeli i forcave detare amerikane, rreth atyre që qeveria zyrtarisht i quan “fenomene të paidentifikuara ajrore”, të cilat kanë ndodhur që nga viti 2004.
I cilësuar si vlerësim preliminar, ky raport u hartua nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në bashkëpunim me një task-forcë të forcave detare, e cila u themelua vitin e kaluar nga Pentagoni, shkruan Reuters, transmeton KultPlus.
“Fenomenet e paidentifikuara ajrore qartazi paraqesin një problem për sigurinë e fluturimeve dhe mund të paraqesin sfidë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në raport, duke shtuar se këtyre fenomeneve ndoshta iu mungon një shpjegim i vetëm.
Në raport thuhet se një rast i një balone të madhe mbetet i pashpjegueshëm, ndërsa për 143 raste të tjera ekzistojnë shumë pak të dhëna për të arritur në përfundim nëse objektet që janë parë paraqesin sisteme ajrore të zhvilluara nga qeveria amerikane apo nga ndonjë kompani private ose nga ndonjë fuqi e huaj si Kina apo Rusia.
Raporti gjithashtu thekson se fenomenet e paidentifikuara ajrore duket se kanë shfaqur elemente të pazakonshme të fluturimit, por se kjo mund të ketë ndodhur si pasojë e të metave të sensorëve apo keqinterpretimeve të dëshmitarëve dhe se për këtë gjë kërkohet analizë rigoroze shtesë.
Zyrtarë të lartë amerikanë u thanë gazetarëve në kushte anonimiteti se analistët ende nuk e kanë përjashtuar prejardhjen jashtëtokësore të këtyre objekteve, ndonëse në raport u shmang gjuha eksplicite për përmendjen e kësaj mundësie.
Një zyrtar tha se të gjeturat e raportit nuk ofrojnë ndonjë shenjë të qartë se objektet misterioze janë pjesë e ndonjë programi të inteligjencës së huaj apo ndonjë avancim i madh teknologjik nga ndonjë forcë armike.
Ky nuk është raporti i parë zyrtar amerikan për UFO. Forcat Ajrore të ShBA-së më parë kishin zhvilluar një hetim të quajtur “Project Blue Book”, që kishte përfunduar në vitin 1969. Në hetim ishin përfshirë 12.618 raste kur janë parë objekte misterioze. 701 prej tyre mbetën zyrtarisht “të paidentifikuara”. / KultPlus.com