16 Tetor, 2020 - 12:16 pm
Organizata për rritjen e cilësisë në arsim ka publikuar raportin “Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike të Kosovës: Menaxhimi i financave”, e cila tregon pagat e stafit akademik, shkruan KultPlus.
Përmes këtij raporti, bëhet e ditur se në vitin 2019 ka pasur rënie të pagesave shtesë të stafit menaxherial të shtatë universiteteve publike krahasuar me vitin 2018, mirëpo për ORCA-në kjo prapë mbetet shqetësuese për përdorimin efikas të fondeve publike.
Personi nga stafi akademik i cili ka të ardhurat më të larta sipas deklarimeve të pasurisë për vitin 2019 mbetet rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi.
“Të ardhurat e tij mujore arrijnë shifrën 2,973 euro në muaj. Prej tyre, 1,690 Euro janë shtesa apo 132% e pagës mujore e cila është 1,283 euro”, thuhet në njoftimin e ORCA-së, shifër kjo e cila e tejkalon edhe pagën e Presidentit të vendit.
Pas Kosumit, personi akademik që paguhet më së shumti mbetet Myrvete Badivuku Pantina e cila është prorektore në Universitetin e Prishtinës me një pagë prej 2.930 euro, 1.429 euro prej të cilëve janë rrogë bazë, ndërkaq 1.501 euro janë pagesa shtesë.
I treti me radhë është prorektori i Universitetit të Prishtinës, Hysen Bytyqi me pagë totale 2.894 euro, 1.429 euro rrogë bazë ndërkaq 1.465 euro shtesa.
Prorektori i Universitetit të Prizrenit, Afrim Sylaj sipas këtij raporti është personi i katërt me pagën më të lartë prej 2.828 eurove, 1.283 euro prej të cilëve janë rrogë bazë, ndërkaq shtesa që merr përbën shifrën 1.545 euro.
I pesti me radhë është rektori i Universitetit të Prizrenit, Ismet Temaj me pagë 2.738 euro me pagë, 1.335 euro prej të cilëve i ka rrogë bazë, ndërkaq merr shtesë 1.403 euro.
Në raport tutje thuhen se 5 pjesëtarët e stafit menaxherial me të ardhurat më të larta paguhen mesatarisht nga 2,873 euro në muaj, ku 1,521 euro prej tyre janë shtesa janë shtesa.
Rektorët paguhen nga 2,597 euro në muaj dhe prej tyre, 1,244 euro janë shtesa.
Prorektorët paguhen 2,132 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 863 Euro janë shtesa.
Dekanët paguhen 2,066 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 837 euro janë shtesa.
Ndërkaq prodekanët paguhen 1798 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 581 euro janë shtesa./KultPlus.com