28 Dhjetor, 2020 - 10:20 am
Filatelia e Maqedonisë së Veriut pasurohet edhe me një pullë të re postale. Me propozim të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) dhe në bashkëpunim me nga Institutin e Studimeve Shqiptare Protestante nga Tirana, Posta e Maqedonisë së Veriut do të lëshojë në qarkullim një pullë postale me portretin e Parashqevi Qiriazit.
Me këtë rast, drejtori i ITSHKSH, Skender Asani, i cili është edhe anëtar i Këshillit të Filatelisë së Maqedonisë së Veriut, shprehet tejet i kënaqur që ky vit i pasur me aktivitete, si qershia mbi tortë, po mbyllet me emrin e Parashqevi Qiriazit, portreti i së cilës tash e tutje do të jetë i gdhendur në memorien e njerëzve përmes kësaj pulle postale.
“Detyrimin tonë moral e qytetar ndaj iluministes dhe veprimtares së shquar Parashqevi Qiriazi, po mundohemi ta shlyejmë duke e bërë emrin e saj pjesë e mendësisë dhe mbamendjes sonë kolektive, siç është edhe kjo pullë postale, e cila do të qarkullojë në mbarë botën dhe me këtë do të përhapë imazhin e një figure të shquar të kombit tonë. Ne si ITSHKSH sivjet kemi organizuar disa aktivitete shkencore e kulturore në kuadër të Ditëve të Alfabetit, ku Parashqevi Qiriazi dhe gratë tjera shqiptare, ishin lajtmotivi i këtij angazhimi, që si synim kishte nxjerrjen në pah të vlerave dhe kontributeve madhor të tyre në avancimin e çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin dhe kultivimin e trashëgimisë sonë kulturore, arsimore e diplomatike”, nënvizoi Asani duke theksuar qe ky vit që po lëmë pas do të mbahet mend edhe për një ngjarje mjaft impresive që u zhvillua më 17 dhjetor në selinë e UNESCO-s në Paris, ku u shfaq premiera e dokumentarit kushtuar Parashqevi Qiriazit, në 50 vjetorin e vdekjes së saj, i përgatitur nga ITSHKSH në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Studimeve Shqiptare Protestante. / Illyria / KultPlus.com