21 Qershor, 2022 - 11:07 am
Nga Emiljando Kita
“Paguhemi sa një shazllon plazhi!”
Kur isha 17 vjeç shkova në Greqi të punoja dhe pashë se si mijëra shqiptarë skallvërohen nëpër serat greke për 25€. Mbaj mend se nga lodhja kisha rënë shumë në peshë. Nisur nga kjo eksperiencë e hidhur vendosa të mos punoja më kurrë në Greqi, dhe ashtu ndodhi.
U ktheva në punëtor sezonal. Prej 7 vitesh kam punuar në Shëngjin gjatë sezonit të verës. Kryesisht kam punuar në sektorin e shërbimit, pasi aty gjenden të ardhurat më të larta, që më mundësojnë vazhdimin e shkollës në Tiranë.
Kishte ditë që punoja 15 orë, trupi këputej nga lodhja e këmbët bëheshin gjak.
Pandemia bëri që unë të fitoja më pak në sezon, bursa e ekselencën më ndihmoj, por sërish u detyrova të filloj punë në Tiranë.
E ç’punë të ofron Tirana?
Sigurisht që Call Centre!
Që tani kam nisur të kem probleme me dëgjimin, përqendrimin dhe kujtesën. Këtyre u shtohet dhimbja e qafës dhe shtyllës kurrizore.
Sapo të lë punën që po bëj, nuk do të punoj më kurrë në Call Centre se e di që lekët e marra aty do më bëhen ilaçe. Kam vendosur që kurrë mos të punoj në sezon më shumë se 8 orë.
Kur dëgjoj pronarët që çahen nëpër televizione se nuk kanë punëtorë, më mblidhet një mllef i madh sa nuk e di si të shpërthej. Ne paguhemi sa 4 makiato që shesin ata.
Duke bërë “me çfarë mund tu shërbej” dhe “pronto, pronto”, gjatë studimeve apo të diplomuar në profile të ndryshme, punëtorët sezonal dhe sektori call centre janë të paorganizuar, keqpaguar dhe pa prespektivë për të ardhmen.
Aktualisht nuk e di as vetë se çfarë do bëj gjatë verës, por ju bëj thirrje të gjithë të rinjëve që kanë vendosur të punojnë në sezon:
1- Mos punon mbi 8 orë.
2- Kërkoni një ditë pushim në javë që dhe ju të futeni një ditë në det.
3- Kërkojeni rrogën në kohë, pasi shumë punëtorëve nuk jua japin në fund.
4- Nëse pronari është arrogant dhe nuk ju respekton punën, ikni sa më parë nga aty.
5- Mos harroni se pronarët kanë më shumë nevojë për ju, se ju për ata.
6- Mos lini shkollën pas dore. (Është mundësi shpëtimi nga puna që aktualisht po kërkoni).
7- Merrni leje nëse jeni sëmurë, pasi shëndeti është përpara të gjithave.
8- Mos pranoni që puna juaj të paguhet pak.
9- Mos u zini punëtori me punëtorin, pasi fuqia jonë buron nga bashkimi. (Nëse njëri nga ju kërcënohet nga pronari dhe të gjithë punëtorët bashkë me ty i lenë punën, ai falimenton)
10- Lexoni mbi sindikalizimin dhe të drejtat në punë. / KultPlus.com
(Emiliano Kita është një nga aktivistët më punëtorë të Organizatës Politike, kësaj radhe ai shkruan mbi fatin e të riut punëtor në Shqipëri.)