20 Korrik, 2023 - 10:43 am
Klima tropikale që ka kapluar Kosovën ditët e fundit ka vështirësuar zhvillimin e jetës normale. Specialistja e mjekësisë familjare Drita Peqani, thotë se përveç fëmijëve, grave shtatzëna dhe moshave të shtyra, ndër më të rrezikuarit janë edhe punëtorët e krahut, të cilët detyrohen të punojnë në këto temperatura ekstreme. Ndonëse ka bërë thirrje punëtorëve dhe kompanive, në rast që nuk mund ta ndalin punën e tyre të paktën të marrin masa mbrojtëse ndaj ekspozimit të diellit.
“…personat që punojnë punëtorët e krahut ndërtuesit e rrugëve këta duhet që të mbrohen me mjete mbrojtëse siç janë kapelat, syzat të vishen me ngjyra të hapura dhe me material pambuku, të konsumojmë sasi të konsiderueshme të ujit se paku 2 litra, pastaj ushqyeshmëria duhet të jetë me ushqime të cilat janë lehtë të tretshme…”
Por këshillat e doktoreshës Drita, për këtë pjesë të shoqërisë nuk vlejnë. Muhamet Haliti, punëtor në një kompani për pastrimin e rrugëve thotë se është i detyruar të punoj, që ta mbajë familjen edhe pse temperaturat tepër të larta ia vështirësojnë punën dhe se siç thotë ai punon pa asnjë pajisje mbrojtëse qoftë ndaj diellit qoftë ndaj rreziqeve të tjera.
“zheg shumë, rrogat po vonohen, shume zheg s’ka pajisje mbrojte s’ka kurgjo”
Ndërkohë dikush po flet në emër të tyre dhe po lufton për ta ruajtur shëndetin e këtyre punëtorëve edhe pse askush nuk i përfill kërkesat e tij. Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi tha se ka bërë kërkesë në subjekte të kompanive private por edhe të atyre shtetërore që ta reduktojnë punën e tyre, por siç thotë ai deri më tash askush nuk ka ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.
Ndryshe gjatë sezonit të verës, qytetarët janë më të rrezikuar për epidemi dhe sëmundje ngjitëse. Ndërsa ekspertët kanë bërë thirrje që qytetarët ti reduktojnë daljet e tyre dhe të kenë kujdes në ushqim./21Media / KultPlus.com