25 Shtator, 2024 - 1:44 pm
Promovimi i librit “Pyjet dhe Sharrat e Pukës në vite”, bëri bashkë në një prej auditoreve të Fakultetit të Shkencave të Pyjeve në Universitetin Bujqësor të Tiranës, intelektualë, studiues, ish-punonjës, specialistë dhe drejtues që punuan me përkushtim në Ndërmarrjen e Përpunimit të Drurit në Fushë-Arrëz.
Bashkëautorët e këtij botimi të veçantë, Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Preng Prenga, pas një pune të gjatë përballë shumë vështirësive për gjetjen e dokumenteve dhe fotove arkivore, por me pasion dhe përkushtim, ia dolën të sjellin në duart e lexuesve një libër historik prej 528 faqesh, një dëshmi e gjallë sakrifice dhe kontributesh në Ndërmarrjen e Përpunim-Drurit në Fushë-Arrëz, ose dhe siç njihet si Sharrat e Pukës.
Organizimi i këtij aktiviteti edhe në kuadër të Vitit të Pyjeve 2024 dhe të 65 vjetorit të FSHP-së me mbështetjen e Shoqatës së Specialistëve të Pyjeve si dhe Shoqatës së Prodhuesve të Mobilieve Shqiptare, për Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku është një moment i veçantë, por edhe një surprizë për nga pjesëmarrja dhe interesi i dëshmuar.
“Unë dua të falenderoj tre autorët, Gjon, Pjetër dhe Preng për këtë libër. Pjesëmarrja e juaj këtu, ky kohezion këtu, të bën të ndjehesh krenar për këtë Universitet. Ky aktivitet mund të ishte organizuar në çdo cep të Tiranës, por fakti që ju e keni zgjedhur këtë auditor tregon sesa e vlerësoni këtë Fakultet”, u shpreh ai.
Sallaku vlerësoi edhe të gjitha ata të cilët e mbështetën daljen në dritë të këtij botimi që bëri bashkë komunitetin pukjanë, jo vetëm për të kujtuar dhe vlerësuar kotributin e një brezi që për një dekadë punuar në Fushë Arrëz., qendra kryesore për prodhimin e lëndës drusore të nevojshme për rindërtimin e vendit, por edhe si një mesazh ndaj brezit të ri.
“Ky aktivitet është simbolik, por shumë domethënës. Vështirë të gjesh një komunitet tjetër kaq solid. Ndjehem mirë që një grup dashamirës ndaj këtij Universiteti janë shembull frymëzues edhe për brezin e të rinjve”, theksoi Rektori.
Ai foli edhe për punën që po bëjnë në drejtim të Universitetit ku veçoi bashkëpunimin me Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës, BOKU të Vjenës për përfshirjen e këtij modeli europian në transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Kolë Malaj tha se “ky libër është një homazh për qindra njerëz që kontribuan nga e gjithë Shqipëria për këtë ndërmarrjen nacionale që përben identitetin e atij qyteti dhe të pylltarisë shqiptare. Falenderoj veçanërisht Pjetër Demën, ish-drejtor i kësaj ndërmarrjeje dhe që dha kontributin për ta vënë në baza të shëndosha ekonomike me angazhimin e tij total megjithëse me vështirësi”.
Ai falenderoi edhe dy autorët e tjerë Gjon Fierza dhe Preng Prenga për kontributin në këtë libër, që sipas tij, “në fund të fundit ia kishin borxh Pukës”.
Tonin Alia, drejtues i Shoqatës së Prodhuesve të Mobilieve Shqiptare u shpreh se “ky takim nuk është thjeshtë për të shpërndarë disa libra dhe për të thënë disa fjalë të mira të merituara për autorët Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Peng Prenga, por të sjellim në kujtesë dhe të nderojmë të gjithë ata që kontribuan në pyje dhe sharrat e Pukës. Të japim disa mesazhe dhe për të marrë vëmendjen e duhur pyjet dhe problemet që lidhen me ruajtjen, shtimin dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kjo vetëdije është faktori bazë në hartimin dhe zbatimin e politikave për përmirësimin dhe ripërtëritjen e fondit pyjor. Pylli është një pasuri e pazëvendësueshme me cikël të gjatë prodhimi, është një mjedis ekologjik në të cilin lidhet jeta e të gjithëve. Prandaj mbrojtja dhe përkujdesja tregohet nga të gjithë dhe sot kjo duhet të jetë më e madhe se kurrë”.
Tonin Aliaj apeloi për mbrojtjen e pyjeve nga zjarrvënësit dhe armiqtë e pyllit.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe bashkëautorët e librit “Pyjet dhe Sharrat e Pukës në vite” duke sjellë në vëmendje dhe shprehur mirënjohje për të gjithë ata që i mbështetën dhe i përkrahën në këtë rrugëtim për të jetësuar dhe nxjerrë nga harresa një brez të tërë që sakrifikuan dhe punuan me ndershmëri dhe përkushtim në sharrat e Pukës.
“Kemi bërë një përpjekje serioze, është një punë e jona që të lëmë diçka të shkruar në nderim dhe respekt të atij brezi pylltarësh, punonjës të sharrave, specialistëve nga e gjithë Shqipëria, nga Delvina, Korça apo Gjirokastra. Është e pamundur që mos të ketë një rreth nga Shqipëria që mos të ketë pasur specialist dhe punëtorë”, u shpreh Gjon Fierza duke falenderuar edhe të gjitha ata të cilët u kanë mundësuar edhe shkrime për pasurimin e këtij botimi.
Pjetër Dema, autori i librit, ish-drejtor i NPD-së në Fushë Arrëz, falenderoi Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku dhe Dekanin e Fakultetit të Shkencave të Pyjeve, Elvin Toromani për mbështetjen në mbarëvajtjen e këtij promovimi si dhe të gjithë ata që i ndihmuan në pasurimin e tij me dokumente dhe foto sikurse edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).
Për rreth katër vite,1984-1989, Pjetër Dema ka drejtuar Ndërmarrjen e Përpunimit të Drurit në Fushë Arrëz, një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme në sektorin e Shfrytëzimit të Pyjeve dhe Industrisë së Drurit në Shqipëri.
Ai e konsideroi këtë si ndërmarrje madhështore pjesë e së cilës ishin rreth 1400 punonjës dhe specialist nga më shumë se 10 rrethe të vendit të cilët kontribuan për mbjelljen, mbajtjen dhe rritjen e pyjeve në rrethin e Pukës, duke furnizuar me lëndë drusore gjithë Shqipërinë.
Prekës dhe emocionues është rrëfimi i ish-drejtorit Dema në një nga faqet e këtij libri voluminoz për nga pesha e fakteve që mbart, ku tregon vështirësitë, përpjekjet dhe sakrificat e punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
“Ndërmarrja të cilën e drejtova këto vite, ishte një ndërmarrje e vështirë ku punohej shumë. Kishim volume të mëdha shfrytëzimesh dhe prodhonim shumë dërrasa. Prodhimet tona shërbenin për të mbajtur në punë që nga Fabrika e Letrës në Lezhë, Kombinatin e Drurit të Shkodër, Kombinatin e Drurit Laç. Ishim furnizuesit kryesor i NSHLD Tiranë (Ndërmarrja e Shpërndarjes së Lëndës së Drurit) e cila shpërndante lëndën e sharruar nga Shëngjini deri në Sarandë….”, shprehet Dema mes rrjeshtave duke kujtuar shumë punonjës të cilët vinin nga Tirana apo Përmeti për të punuar në veri të vendit larg familjeve të tyre.
Pjetër Dema sjell në kujtesë se si u duhej të pastronin rrugët nga akulli apo trashësinë e dëborës prej mëse 4 metrash dhe të vazhdonin punën me intensitet me orë të zgjatura.
Çdo faqe e këtij libri mbart një peshë të jashtëzakonshme jo vetëm faktesh historike të mbështetura në dokumente dhe foto të kohës, por edhe një testament me mesazhe dhe apele të shprehura për breza e breza që do vijnë se si përkushtimi, profesionalizmi, ndershmëria, sakrifica, korrektësia dhe mirënjohja mbeten virtyte të pazëvendësueshme dhe forca me të cilin brezat paraardhës ndërtuan dhe zhvilluan fshatra e qytete dhe i dhanë emër vendlindjes së tyre.
Ky libër është edhe një apel sikurse shprehet në faqet e fundit librit Lazër Mhilli: “Është mbështetja e këtij botimi si fillesë për të tjera veprimtari më të mëdha që lidhen me përmirësimin e pyjeve dhe mjedisit të Pukës më tërësi dhe Iballës në veçantë. Pukës t’i kthejmë emrin e saj – Pyjet”./atsh/KultPlus.com