Qaforet e rikthimit të shpresës

2 Shtator, 2019 - 10:00 am

Një zanat në shërbim të përpjekjeve për t’i harruar torturat nëpër të cilat kanë kaluar. Kështu mund të konsiderohet projekti që i ka aftësuar disa gra të dhunuara nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë për të punuar në prodhimin e disa qaforeve unike.

Përtej hijeshisë që e kanë këto qafore, ato thellë përshkruajnë vuajtjet individuale të grave, që po mbështeten t’ia lënë harresës ngjarjet e tmerrit të para 20 vjetëve.Një trajnim në Turqi, ka qenë fillimi i gjithë kësaj pune, që është iniciuar e zbatohet nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, transmeton KultPlus.

Simbol i përjetimeve të tmerrshme

Në një bisedë për “Kohën Ditore”, Kadire Tahiraj, drejtoreshë ekzekutive e kësaj organizate, tregon se ideja e punimit të produkteve artizanale, veçmas punimi i varëseve, ka dalë si ide nga një trajnim i disa anëtareve të kësaj organizate në shtetin e Turqisë. E kishte lehtësuar këtë punë ish-ambasadorja e këtij shteti në Kosovë, Kivilicim Kiliç.


“Në këtë trajnim njëmujor, nga të gjitha punimet artizanale që anëtaret tona mësuan të punojnë, mësuan edhe punimin e varëseve. Pas kthimit në Kosovë, gratë vazhduan punimin e këtyre produkteve, duke u profesionalizuar edhe më shumë, dhe në bazë të kësaj interesimi edhe nga gratë e tjera u rrit gradualisht”, ka thënë Tahiraj.

Natyrshëm, organizata do të zgjeronte rrjetin e atyre që do të aftësoheshin për ta bërë këtë punë. U zhvilluan kurse për punimin e këtyre varëseve, duke i angazhuar tash edhe si trajnere gratë të cilat kishin ndjekur këtë trajnim në Turqi. Ato vazhdojnë ende ta bëjnë këtë punë.

Në fakt, ideja e gjithë projektit ka lindur duke parë interesimin edhe të masës së gjerë nga vendorët dhe ndërkombëtarët, për të ndihmuar gratë e dhunuara gjatë luftës./koha.net/KultPlus.com

Të ngjajshme