18 Mars, 2020 - 4:41 pm
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 13-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka marrë vendim për caktimin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë si hapësirë karantine, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Sipas këtij vendimi, personat për të cilët vërtetohet ose dyshohet se kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e sëmurë apo të dyshimtë me sëmundje nga koronavirus COVID-19 futen në karantinë”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se Qendra e Studentëve në Prishtinë kalon në menaxhim të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Shëndetësisë deri në pushim të gjendjes emergjente të shpallur nga Qeveria e Kosovës me vendimin Nr.01/11, të datës 15 mars 2020.
Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe institucionet tjera relevante obligohen të kryejnë të gjitha procedurat për zbatimin e këtij vendimi. / Koha.net / KultPlus.com