20 Nëntor, 2022 - 5:30 pm
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se është inauguruar fillimi i restaurimit të ndërtesës ku do të funksionojë Qendra Kulturore Hebraike në Kosovë, shkruan KultPlus.
Filluan punimet restauruese në ndërtesën e Qendrës Kulturore Hebraike, projekt ky i financuar nga Ministria e Kulturës.
Në Prizren për të inauguruar këto punime sot ishin Ministri Hajrulla Çeku, ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv, ambasadori gjerman, Joern Rohde, shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Michael Davenport, zëvendësambasadorja e SHBA, Alyson Grunder, nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës.
Qendra Kulturore Hebraike do të vendoset në ndërtesën e ish Hotel Shumadija, aset i trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.
Projekti i revitalizimit është hartuar nga Komuniteti Hebraik në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. Paralelisht me ndërhyrjet revitalizuese, jemi në koordinim me Komunitetin Hebraik në Kosovë dhe shtetin e Izraelit, për të ndërmarrë hapat për zhvillimin e projektit të hulumtimit për ndërtimin e narrativës së ekspozitës mbi historinë e Komunitetit Hebraik në Kosovë, ekspozitë kjo e cila do të prezantohet në hapësirat e kësaj Qendre. /KultPlus.com