31 Tetor, 2024 - 1:21 pm
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura do të prezantojnë nesër, datë 1 nëntor, punën për Qendrën Multifunksionale të Vjosës, fillimisht në Tepelenë dhe më pas në Përmet.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “projekti i kësaj qendre, produkt i një konkursi ndërkombëtar, është më shumë sesa një strehë, është arteria kryesore prej nga do të burojë gjithë informacioni për vlerat e rralla natyrore e kulturore të Parkut Kombëtar të Vjosës, si dhe e të gjithë itinerareve, që mund të përshkohen për t’i njohur nga afër këto vlera unike, siç është unike vetë Vjosa, i fundit lumë i egër në Europë”.
Kumbaro tha se mirëpresin në Tepelenë dhe Përmet të gjithë qytetarët, bizneset, guidat lokale, operatorët turistikë dhe të gjithë ata që jetojnë e punojnë pranë kësaj lugine e ndër shekuj e kanë ruajtur të paprekur.
Projekti për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit do të zbatohet nga studioja projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”, e cila u shpall fituese në dhjetor të vitit të kaluar.
Ky projekt u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.
Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall në mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “Park natyror”./atsh/KultPlus.com