Qershitë

21 Maj, 2020 - 5:30 pm

Shkruan: Nerimane Kamberi
Qershitë

Thanë që tanë një famije ishte infektuar në katundin poshtë katundit tonë, kush s’u mërzit për atë punë, thanë se një bijë e kishte sjellë virusin, ishte mërzitë,  dy muaj pa ardhë te nana. Edhe unë jam mërzitë, por unë si Doruntina, bijë e largët, e vëllai im Konstantini nuk kishte dhënë besën se vjen me më marrë, por si të vijë, me kufij të mbyllur!

Nanë ta uruam ditëlindjen, krejt fëmijët e tu,  përmes kamerës, çka me bë, ky është shekulli XXI, kur nuk mund të gjinden vaksina kundër virusave, që i sulmojnë edhe telefonat me të cilët të thirrëm, pra ti nuk ke faj që don me i pa zogjtë e tu përnime, rreth vete kur i  frynë qirinjtë, a të tregova se edhe zogjtë e mi shkuan, ndejtën ma shumë se katërdhjetë ditë,  bashkë, ditë e natë, në shtëpinë që e shndërruam në fole, e ku mbroheshim nga sëmundja. Të kujtohet se si e festuat bashkë biri im dhe ti ditëlindjen jubilare, gjyshe e nip, aty te bahçja? A po, a ja kanë nisur të pjeken qershitë ? Do të vijmë, se dredhëzat nuk i shijova në këtë behar, se i dua vetëm kur i blej në pazar, e atë hala nuk e kanë  çelë.  Edhe kajsia e babës pati lule plot, por atë e ruaj veç për lulet e saj si japonezët qershitë e tyre, se pemë kurrë nuk bën.

Zogjtë e mi shkuan, iu kam lexuar shumë Preverin “Për ta bërë portretin e një zogu », duhet të fshish hekurat e kafazit, por zogjtë e artistit tonë fluturojnë nga një pemë në tjetrën, kanë ngjyra plot, ikni, ikni,  s’po mundem më t’i duroj, as t’i shoh, as në fotografitë që i bën ai, pa retush, siç nuk po e duroj më qetësinë.

Thesit të miellit i erdha në fund, raftet u zbrazën nga makaronat dhe orizi. Tomël dhe vezë po vazhdon me më pru katundari që kam kojshi. Më tepruan edhe dy sapuna. Vërtet, ku u zhduk Luli? Sigurisht ai mban syrin te mikroskopi i tij, se e di që armiku i padukshëm nuk është zhdukur. Luli ka zgjedhur tërë jetën e tij të luftojë me armiq, sa i çuditshëm ky njeri, edhe na kemi dushman, plot, siç e thotë kafja kur të ma lexojnë fallin. Boll na tha të rrijmë në shpi, edhe ai tash le të dalë ta shijojë lirinë që na ka munguar kaq shumë, jo këta muaj, por tanë jetën e shqiptarit, den baba den, ama le ta shijojë si zotni, jo si këta që vozisin si të çmendur në rrugët e katundit tonë, hourrah, u hoq karantina po, po edhe të çmendurit fluturojnë, se kanë dëgjuar se janë lehtësuar masat, e sa e lehtë po ju duket vetja, hajt të fluturojmë…

Pranverë që nuk do të harrohet, por vera si do të jetë, jemi bërë sy e vesh për ndonjë lajm të mirë, do të vijnë kurbetçarët, të heqim mallin, e të flasim për këtë që na gjetë, duke i përzier çajat? E në det, a do të shkojmë, a do t’i hapin çadrat? Breaking news: Sot është hapur galeria kombëtare, dje është rrënuar teatri kombëtar. Qafën e thefshit, po vazhdoj të shikoj “Fluturimi mbi folenë e qyqes.” / KultPlus.com

Të ngjajshme