17 Qershor, 2022 - 10:45 pm
Qeveria e Kosovës ka miratuar dy propozim-vendime që lidhen me marrëveshjen me Shqipërinë, për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Sipas një njoftimi për media të premten në mbrëmje, Qeveria ka thënë se në një mbledhje elektronike ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes për bashkëfinancim për studimin e fizibilitetit dhe projektidesë për këtë lidhje hekurudhore dhe rekomandimin e presidentes që të nënshkruhet marrëveshja me Shqipërinë për këtë çështje.
“Është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëfinancim për studimin e fizibilitetit dhe projekt–idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë, ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë. Pas shqyrtimit është miratuar edhe vendimi për rekomandimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për nënshkrim të marrëveshjes me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë, për bashkëfinancimin për studimin e fizibilitetit dhe projekt–idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Dakordimi për këtë projekt në mes të dy qeverive ishte arritur në mbledhjen e shkuar. Në dhjetor, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, pati njoftuar se projekti është prezantuar edhe në Bruksel. Dy shtetet patën ndarë nga një milion euro për projektin e fizibilitetit.
Qeveria pati thënë se me këtë projekt do të hapen edhe korridore të reja në Evropë, që përfshihet edhe Kosova./ KultPlus.com