27 Nëntor, 2019 - 7:01 pm
Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë vendosur që ta lëshojnë Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren si strehim të përkohshëm për të gjithë njerëzit e prekur nga tërmeti tragjik në Shqipëri, shkruan KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj, këtë lajm e ka bërë të ditur përmes një statusi në Facebook.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
“Parku Inovativ Trajnues në Prizren, do të jetë në dispozicion si strehë e përkohshme e të gjithë atyre që kanë pësuar nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë.
Së bashku me Ambasadën Gjermane në Prishtinë, zyrën e GIZ-it në Kosovë dhe Komunën e Prizrenit, kemi nisur përgatitjet e nevojshme për pranim-strehim, kujdes shëndetësor dhe ushqimor në Parkun Inovativ dhe Trajnues.
Deri në 800 shtretër dhe hapësira akomoduese do të jenë në dispozicion për banorët që kanë pësuar nga kjo tragjedi.
Si Kryeministër në detyrë menjëherë kam vendosur komunikim me institucionet përgjegjëse shtetërore në Shqipëri për të koordinuar hapat e mëtejmë për zbatim të këtij aksioni”. / KultPlus.com