21 Dhjetor, 2020 - 11:26 am
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Filharmonisë së Kosovës, Operën e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës, vendim ky i marrë pas propozimit të Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.
Ministrja Vlora Dumoshi tha se ky projektligj është i rëndësishëm sepse rregullon të gjitha aspektet e rëndësishme të tre institucioneve me peshë për kulturën por edhe shtetin e Kosovës, siç është rregullimi i organizimit të veprimtarisë dhe funksionimit të Filharmonisë së Kosovës, Operës së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilat ushtrojnë veprimtari kulturo-artistike me interes të veçantë për vendin. Po ashtu ligji krijon bazën e themelimit të institucionit Opera e Kosovës, e cila me shpresë në një të ardhme jo të largët do t’i bashkohet listës së institucioneve kulturore.
Ndër të tjerash ministrja Dumoshi tha: “Projektligji ka hyrë në plotësim ndryshim për shkak të preambulës me logon e UNMIK-ut, por edhe për të evituar pengesat që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punëve të institucioneve, dhe gjatë hartimit është konsideruar se duhet të jetë Ligj i ri. Ky projektligj i ka kaluar të gjitha fazat e nevojshme të shqyrtimit, konsultimit me institucionet relevante dhe diskutimet publike me grupet e interesit dhe ka marrë aprovimin e të gjitha instancave relevante edhe përkundër vështirësive për shkak të përballjes me pandeminë Covid 19”.
Marrë parasysh që Projektligji për Filharmoninë e Kosovës, Operën e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës është akt me rëndësi për institucionet kulturore që u dedikohet, ju ftoj që ta votoni atë – tha ministrja Dumoshi në ekspozenë e saj para ministrave. / KultPlus.com