Qeveria kërkon dhënien e autorizimit nga Osmani për dy marrëveshje me BE-në

13 Dhjetor, 2023 - 12:08 pm

Qeveria e Kosovës ka miratuar dy vendime ku kërkohet dhënia e autorizimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në lidhje me dy marrëveshje ndërkombëtare.

Nga qeveria u miratua vendimi për kërkesë ndaj Osmanit për dhënien e autorizimit për nënshkrimin e amendamentimit numër tre të marrëveshjes financiare në mes Kosovës dhe BE-së për programin “IPA 2015”.

“Qëllimi i këtij amendamenti është mundësimi i shtyrjes së afatit të parashikuar për zbatimin e projekteve të kësaj marrëveshjeje dhe kjo është e nevojshme në mënyrë që të mundësohet lansimi i sërishëm i tenderit për përkrahjen e procesit të de-komisionimit të pjesëve jo-operative të Termocentralit Kosova ‘A’”, tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se teksti për këtë marrëveshje është finalizuar më 24 nëntor, ndërsa tash duhet të vazhdohet me procedurat e marrjes së autorizimit për nënshkrim.

Po ashtu, qeveria kërkoi nga presidentja e vendit dhënien e autorizimit për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për nënshkrimin e marrëveshjes mes BE-së dhe Kosovës për pjesëmarrje në programin “Drejtësia”.

Në lidhje me këtë, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se programi “Drejtësia” ka për synim të forcojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

“Më këtë rast, ju njoftoj se pas miratimit të nismës, është formuar delegacioni teknik që e ka finalizuar tekstin e marrëveshjes me përfaqësuesit e BE-së”, tha Sallahu./KlanKosova/KultPlus.com

Të ngjajshme