26 Gusht, 2020 - 6:00 pm
Qeveria e Kosovës ka miratuar planin për fillimin e vitit shkollor 2020/21 ku Ministrisë së Arsimit i janë ndarë 9 milionë euro të cilat kjo e fundit ka kërkuar për realizimin e mësimit në kushtet e pandemisë.
Nga këto fonde, të ndara nga plani për rimëkëmbje ekonomike, përfshihen edhe mësimi online dhe mirëmbajtja e shkollave sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Në mbledhjen e qeverisë u bë e ditur se nuk do të ketë punësime shtesë në arsim për shkak të pandemisë, veçse do të ketë studentë rezervë që do të shërbejnë në rast nevoje.
E ministri i Arsimit Ramë Likaj tha se procesi mësimor parashihet të fillojë në tri faza.
“Vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor e marrim menjëherë pasi Qeveria e Kosovës të aprovojë master-planin dhe kërkesën për buxhet të cilën ne po e bëjmë sot, ky vendim parasheh fillimin e vitit të ri shkollor në tri faza – faza e parë pikërisht në datën 1 shator qysh është planifikuar gjithmonë për arsimin parashkollor për klasën 1,2,3, 6 dhe 10. Më datën 7 shator është faza e dytë për klasën 4, 5, ndërsa më datën 10 shator është për klasën 7, 8, 9, 11 dhe 12. Task- forcat e krijuara në kuadër të DKA-ve do të vendosin cilin prej tre skenarëve e zbatojnë”, tha ai.
Sipas ministrit të Arsimit, duhet të shihet çdo dy javë se si do të vazhdojë procesi mësimor.
“Nuk mund të bëjmë plane më shumë se për dy javë sipas rekomandimeve të IKSHP-së dhe duhet gjithmonë task-forcë të raportojë në mënyrë ditore, por në baza javore ose dy javore të merren vendime se në cilin skenar, cili institucion mund të vazhdojë procesin mësimor. Ka disa shkolla që mund të punojnë plotësisht, sepse kanë numër të vogël të nxënësve, kanë kushte më të mira dhe mund të punojnë në skenarin A, pa e ndërprerë procesin mësimor”, tha ai.
Likaj tha se në plan është e qartësuar se kur duhet të mbyllet institucioni arsimor në rast se paraqiten raste të infektimit.
Mbi 9 milionë euro i janë ndarë Ministrisë së Arsimit për të realizuar mësimin gjatë pandemisë, ku u tha se një rëndësi i kanë kushtuar dezinfektimit të hapësirave shkollore, që sipas ministrit Likaj, është paraparë të behët dezinfektimi çdo ditë pas të përfundojë mësimi.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se për vitin 2020 do të ndahen 4 milionë euro, ndërsa 5 milionë të tjera për vitin 2021, fonde këto nga plani i rimëkëmbjes ekonomike.
“Për të mos pasur probleme në ekzekutim, ne jemi pajtuar që pjesë e propozim- vendimit është edhe pjesa e aneksit që direkt fondet që nevojiten për aktivitetin e komunave shkojnë direkt të buxheti komunal dhe ministria normalisht i mbikëqyrë. Për shkak të ligjit dhe legjislacionit aktual nuk do të ketë rritje të numrit të stafit, po flas për personelin arsimor, normat shtesë për punëtorët aktual që janë, mund të ketë angazhime shtesë të studentëve për me qenë pjesë rezervë”, tha ai.
Kryeministri Avdullah Hoti tha se mësimi online do të bëhet edhe në gjuhët e komuniteteve, dhe në master-plan janë paraparë protokollet për sjellje të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve nëse ndodh ndonjë infektim me COVID-19.
“Janë bërë përgatitjet për vendosje ne shenjave informuese nëpër shkolla se si duhet të mbahet distanca, maska, parashihen dhe materialet e tjera për dezinfektim. Pastaj, roli që do të ketë inspektorati i arsimit për të ndihmuar shkollat në respektimin e masave por edhe për të inspektuar, për të siguruar që ato masa respektohen nga shkollat. Është punuar gjatë këtyre ditëve në trajnimin e mësimdhënësve për mësimin online dhe besoj që po bëhen përgatitjet edhe për një liste rezervë të mësimdhënësve varësisht prej nevojës që kanë komunat në rast se duhet të ndahen klasat në gjysmë për të zvogëluar numrin e nxënësve për klasë”, tha Hoti.
Shkollat në Kosovë janë mbyllur në mesin e muajit mars të këtij viti kur edhe janë identifikuar rastet e para me COVID-19 dhe procesi mësimor është mbajtur në distancë. / Klan Kosova / KultPlus.com