1 Korrik, 2024 - 8:22 pm
Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar dy ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 88-vjeçare.
“Këshilli i Ministrave vendosi 1. Shpalljen dite zie kombëtare te martën dhe të mërkurën, përkatësisht, ne datat 2 dhe 3 korrik 2024, në nderim të të ndjerit, Ismail Kadare, personalitet i shquar i letrave shqipe.
2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike te ulet flamuri kombëtar ne gjysmështize.
3. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore te organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tirane, ditën e mërkure, date 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri ne orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri ne orën 12:30.
4. Ne orën 13:00, date 3.7.2024, në nderim te tij të ndërpritet do veprimtari dhe të mbahet një minute heshtje.
5 Radiotelevizioni Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes se homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funerale.
6. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore ngrihet Komisioni i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, i cili në përbërje do të ketë:
Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Ministrin e Mbrojtjes;
Ministrin e Brendshëm;
Kryetarin e Bashkisë Tiranë;
Drejtorin e Protokollit të Shtetit;
Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë; Drejtorin e Drejtorisë se Shërbimeve Qeveritare; Përfaqësues nga Kabineti i
Kryeministrit; Përfaqësues nga zyra e Shtypit te Kryeministrit.
7. Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative te homazheve dhe te ceremonialit shtetëror.
8. Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë dhe botohet ne “Fletoren zyrtare”.