“Qiell-Tokë”, ekspozita e Klement Zoraqit në Galerinë e Artit në Tiranë

31 Janar, 2025 - 3:10 pm

Galeria e Artit Tiranë hapi mbrëmë ekspozitën restrospektive të piktorit Klement Zoraqi, të cilën e cilësoi si një udhëtim artistik.

Janë 50 vite të përmbledhura në 50 punime, kryesisht peizazhe, që nga mosha 14-vjeçare e artistit, deri në vitet e fundit. Ekspozita e titulluar “Qiell-Tokë”, do të qëndrojë e hapur për publikun, në GAT, deri më 18 shkurt.

Artisti ka dhuntinë për të “përkthyer” vizionin për botën, në gjuhën e artit figurativ. Rrjedhimisht, duke pikturuar, Zoraqi vendos një raport intim me natyrën, nëpërmjet një harmonie ndjenjë-mendim, emocion-arsye, qiell-tokë.

Galeria e Artit Tiranë ftoi artdashësit të zbulojnë këtë retrospektivë unike që feston artin dhe natyrën.

Zoraqi, i lindur më 9 mars 1960, në një mjedis familjar kushtuar artit, kulturës dhe arsimit, që në fëmijërinë e hershme ai shfaqi talentin e tij artistik në shumë fusha, duke u fokusuar rreth moshës 14-vjeçare në fushën e pikturës, si pasion i vetëm.

Mësimet e para artistike i mori në studion e peizazhistit të njohur Aristotel Papa. Studimet akademike i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1980-1984), ku u specializua në fushën e pikturës monumentale në studion e prof. Niko Progrit dhe prof. Vilson Kilicës.

Gjatë karrierës së tij 50-vjeçare, Klement Zoraqi ka marrë pjesë në ekspozita kolektive në shumë prej kryeqyteteve evropiane si dhe New York, ndërkohë që zhvillonte dhe aktivitetin e profesorit të pikturës në Liceun Artistik “Jordan Misja”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme