22 Dhjetor, 2020 - 8:16 pm
“Qilimi i Apolonisë”, është një mrekulli që nuk duhet mbajtur e fshehur, deklaroi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Ajo u shpreh se specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar po punojnë për hartimin e projektit për ndërhyrjen konservuese dhe ekspozuese të tij.
“Atriumi i Muzeut Historik Kombëtar “fsheh” një nga pasuritë më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore. Bëhet fjalë për “Qilimin e Apolonisë”, këtij mozaiku të rrallë, i cili duhet të jetë i vizitueshëm për publikun”, theksoi Margariti.
“Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorisë Rajonale të Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar po punojnë për evidentimin e patologjive dhe hartimin e projektit për ndërhyrjen konservuese dhe ekspozuese të tij”, u shpreh Margariti./atsh/ KultPlus.com