5 Dhjetor, 2024 - 5:00 pm
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mbajti një aktivitet kushtuar 100-vjetorit të lindjes së figurës së njohur Petër Priftit.
Eleni Karamitri, hartuesja e një monografie për Petër Priftin nxori në pah vlerat e kësaj figure me aktivitete të shumta në diasporë, veçanërisht në SHBA, ku jetoi dhe punoi. Petër Prifti u cilësua si burim kulture dhe ambasador i saj në diasporë. Ai ka qenë aktivist patriot, krahas Fan Nolit, At Artur Liolin etj.
Thuajse të gjithë veprat e Peter Priftit, në filozofi, gjuhësi, letërsi e histori, janë në gjuhën angleze, ndonëse shumë kanë subjekte nga vendi ynë.
Profesor Xhevat Lloshi ngriti lart figurën e Petër Priftit dhe kontributin në linguistikë dhe studimet letrare. Sipas tij, shqipja standarde edhe si nocion i atribuohet atij, në një studim të kryer vite më parë. Petër Prifti, sipas pjesëmarrësve në këtë takim, ishte etaloni i akademikut të studimeve shqipe në Amerikë dhe në botë.
Gjithashtu ai ishte një atdhetar i spikatur, jo me fjalë, por me studimet e tij, të cilat u mbështetën dhe nga shoqata patriotike shqiptaro-amerikane Vatra, si dhe organi i saj, gazeta Dielli./atsh/KultPlus.com