QKLL hap thirrjet për fondin e përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaj

3 Mars, 2025 - 3:50 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hapi thirrjen për aplikime për mbështje për përkthimin e veprave letrare nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj.

Përkthimi i librit shqip në gjuhë të tjera është një nga prioritetet e vazhdueshme e punës së QKLL-së, jo vetëm përmes një programi të dedikuar për të mbështetur vepra në gjuhë të tjera, por edhe përmes partneriteteve të ndryshme.

Fondi i përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaj i drejtohet gjithë botuesve të huaj që duan të botojnë në gjuhët e tyre autorë shqiptarë. Thirrja nuk është e kufizuar vetëm për libra artistikë, por për çdo vepër e cila shënjon një vlerë në kulturën shqiptare, në historiografi, letërsi, studime. Kjo thirrje mbetet pjesë e përhershme e politikave të QKLL-së për të promovuar letërsinë shqipe në kultura të tjera. Ajo synon të mbështesë përkthimin e veprave më të rëndësishme të letërsisë tradicionale dhe bashkëkohore shqipe në prozë, poezi dhe eseistikë.

QKLL bëri me dije se aplikimet për këtë fond do të priten deri më 31 mars 2025, ora 16:00 dhe mund të dërgohen pranë QKLL në postën elektronike ose me rrugë postare./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme