3 Shkurt, 2025 - 12:39 pm
Viti 2025 do të shpallet “Viti Maks Velo”, në nder të piktorit, arkitektit, studiuesit dhe shkrimtarit të mirënjohur.
Ceremonia zyrtare për shpalljen e “Vitit Maks Velo” do të organizohet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Autoritetin për Informim për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”. Këto institucione do të organizojnë ditën e nesërme një aktivitet përkujtimor në nder të figurës së intelektualit të shquar Maks Velo.
Velo lindi në Paris në 1935-ën. Studioi në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit, pranë Institutit Politeknik. Më pas u specializua për arkitekturë.
Vitet ’78-’79 ishin më të vështirët të jetës së tij, pasi u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg. Vuajti dënimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë.
Velo është autor i një sërë botimesh si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta” “Përkthyesi”, “Jetë paralele” etj./atsh/KultPlus.com