17 Tetor, 2019 - 9:42 pm
20 vjetori i themelimit të Qendrës për Rehabilitim të Kosovës për Viktimat e Torturës (QKMRT), udhëhequr nga Feride Rushiti, këtë institucion e ka gjetë me shumë suksese përgjatë këtyre 20 viteve punë, por ky përvjetor është kurorëzuar edhe me dy zëra të fuqishëm për të dënuar dhunimet seksuale që janë bërë përgjatë luftës nga serbet në Kosovë, e ato janë Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, ku kjo e fundit ditëve të fundit ka dorëzuar kallzimin penal në prokurori, shkruan KultPlus.
Dhe 20 vjetori i punës së këtij institucioni, të enjten është shënuar edhe me shpalosjen e një hulumtimi me temën “Trauma ndërbrezore”, që është organizuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë dhe Qendra e Rehabilitimit të Kosovës për Viktimat e Torturës (QKMRT).
Kontesha e Wessex ishte figura e kësaj konference, ku kanë marë pjesë edhe shumë mysafirë të tjerë, ku janë prezantuar hulumtimet, ku për këtë studim, janë intervistuar 130 gra qe kishin përjetuar dhunë seksuale/tortura gjatë luftës në Kosovë dhe janë mbledhur mostrat e gjakut nga 120 fëmijët më të vegjël të lindur nga secila grua.
“Gati 30% e fëmijëve kanë nivele anormale (shumë të larta ose të ulëta) të kortizolit. Kortizoli është hormoni kryesor i stresit i cili nxitet si përgjigje nga stresi ose trauma madhore. Këtu vërejmë se fëmijët e lindur nga nënat me ÇSPT gjatë shtatzënisë kishin më shumë gjasa të kishin nivele të larta të kortizolit (15.5%) në krahasim me fëmijët e lindur nga nënat pa ÇSPT gjatë shtatzënisë (3.0%)”, është thënë në këtë studim, ku është përcjellë me mjaftë interesim dhe pyetje nga të pranishmit.
Kurse nikoqirja e kësaj konference, Feride Rushiti e cila ka përshëndetë gratë më të fuqishme të kësaj kauze, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimanin, ka treguar për këtë hulumtim, studim që po bëhet për herë të parë në botë, për lidhjen e mundshme mes nënave dhe fëmijëve. “Ky studim ka të bëjë me fëmijët që kanë lindur pas periudhës së luftës dhe jo fëmijët e lindur nga dhunimi”, ka thënë Feride Rushiti.
E kontesha e Wessex, në këtë prezantim ka treguar se ka pasur rast të ketë biseduar me disa nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku ajo ka treguar se rrëfimet e tyre janë të tmerrshme.
“Dhimbja e tyre është evidente por guximi i tyre të mos i nënshtrohen këtyre traumave është mbresëlënëse”, ka thënë ajo.
Vasfije Krasniqi Goodman ka treguar përvojën e saj, pikërisht duke iu referuar këtij studimi.
“Për mua është shumë e vështirë të flas për traumat qe kam pasur, si nënë e dy vajzave. Shpesh e kam fajësuar vetën nëse po bëj gjënë e duhur duke rritur fëmijët e mi. Jam e lumtur që shkenca ka dëshmuar që trauma bartet te fëmijët e mi, por jo pse unë nuk jam nënë e mirë”, ka thënë Krasniqi-Goodman.
Në këtë konferencë ka folur edhe drejtori i Institutit Danez kundër Torturës, Rasmus Grue Christensen, kurse delegacioni në krye me Feride Rushitin, me konteshën e Wessex, të shoqëruara edhe nga dy zërat e fuqishëm të kësaj kauze, Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani kanë realizuar edhe takime të tjera me palë ndërkombëtare, duke bërë edhe një vizitë pranë simbolit të heroinave, të cilat edhe kanë ndarë një moment kujtimi, duke e shënuar me një fotografi./KultPlus.com