19 Qershor, 2020 - 7:30 pm
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) ka nënshkruar ditën e sotme një memorandum bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Dokumenti i nënshkruar nga Drejtoresha Ekzekutive e QSPA-së, Prof. Diana Kastrati dhe Kryetari i ASHAK-ut, Akad. Mehmet Kraja përfshin organizimin e veprimtarive në fushën kërkimore-shkencore, si dhe kryerjen e studimeve të përbashkëta mbi historinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh.
Ky memorandum pritet të jetë një marrëveshje e zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve në fushën e kërkimit shkencor dhe sheh me përparësi koordinimin e punës dhe bashkëpunimin mes studiuesve të rinj të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët me studiuesit me përvojë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Një nga pikat e memorandumit, e cila lidhet me shkëmbimin e botimeve shkencore ndërinstitucionale u vu menjëherë në zbatim, pasi ASHAK-u ka firmosur dhurimin e një numri të madh librash me fokus në studimet mbi Arbëreshët.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, ishin të pranishëm studiues dhe akademikë të ndryshëm të Kosovës, të cilët e kanë mirëpritur themelimin e një institucioni të posaçëm kërkimor-shkencor mbi Arbëreshët. /KultPlus.com