14 Prill, 2021 - 1:48 pm
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) zgjidhet zyrtarisht si institucioni pritës organizator i një prej konferencave më të rëndësishme ndërkombëtare nga Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL) me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi është marrë pas mbledhjes së fundit të Bordit Drejtues të FEL, (pjesë e së cilës është edhe studiuesja shqiptare Eda Derhemi) ku janë caktuar edhe datat e organizimit të konferencës, përkatësisht 16-19 dhjetor 2021. Në këtë konferencë pritet të mbajnë kumtesa disa nga emrat më të rëndësishëm të studimeve bashkëkohore botërore mbi gjuhët në rrezik.
Pas organizimit më të fundit të FEL 24 në University College London, (2020), FEL vendosi ta organizojë konferencën e 25-të në Tiranë. Organizator lokal është QSPA në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Kjo është një mundësi dhe vëmendje e posaçme për të shqyrtuar dhe diskutuar gjendjen dhe perspektivat për mbijetesën e dialekteve të shqipes jashtë vendit amë: të folmeve të arbëreshëve në Itali, në Kroaci, të arvanitasve, etj.
Kjo është një konferencë e rëndësishme që organizohet rregullisht çdo vit nga Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL) në bashkëpunim me universitetet dhe qendrat shkencore më të mira të botës.
Ka rreth 30 vjet që gjuhëtarët kanë konstatuar dhe konfirmuar tendencën për humbjen e përshkallëzuar të shumicës së gjuhëve të botës. Kauza e Gjuhëve të Rrezikuara u përvijua më zyrtarisht duke filluar nga 1991, nga diskutimi dhe prezantimi në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane të Gjuhësisë, duke vijuar më tej me studime, iniciativa, raporte ekspertësh, dokumente të rëndësishme ndërkombëtare, që kanë përfshirë si institucione të politikës ndërkombëtare: OKB, UNESCO, Këshillin e Europës, Bashkimin Europian, ashtu edhe institucione akademike. Ka pasur lëvizje, iniciativa deri ligje të rëndësishme në këtë kuadër, pjesë e të cilës është edhe ligji italian i vitit 1999, Karta Europiane për Gjuhët Minoritare.
FEL zakonisht organizohet në bashkëpunim me universitetet dhe qendrat më të njohura në botë: SHBA, Gjermani, Spanjë, Australi, Japoni, etj. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com